Vllaznia nuk do të jetë e plotë për takimin e parë të Kupës me Flamurtarin në Vlorë. Kjo ndeshje do të jetë edhe një provë për disa nga futbollistët e stolit të Vllaznisë, që pritet të luajnë ditën e sotme në Kupë.

Për këtë takim, trajneri Josa do të ketë të pamundur plot shtatë futbollistë dhe si rrjedhojë, tekniku kryeqytetas dhe stafi i tij, duhet t’i bëjnë planet me pjesën tjetër të lojtarëve. Kështu, tre futbollistët të cilët kanë vuajtur nga dëmtimet ditët e fundit, pikërisht Latifi, Boshnjaku dhe Bulatoviç kanë qëndruar në Shkodër, duke vijuar me terapinë, ngaqë nuk janë akoma plotësisht gati për të luajtur.

Atyre i është shtuar edhe mesfushori Heriç, i cili poashtu ka ndjerë shqetësime dhe prandaj është lënë pushim. Këtyre katër futbollistëve u janë shtuar edhe Spahija, Smajli dhe Delaj, të cilët ndodhen me Kombëtaren U-21 në turneun e Kroacisë.

Me shtatë mungesa të sigurta në sfidën e nesërme ndaj Flamurtarit, tashmë stafi teknik i Vllaznisë, me në krye trajnerin Mirel Josa, i ka marrë masat dhe njëkohësisht edhe vendimin se kush do t’i zëvendësojë dhe do të jetë nga minuta e parë në fushën e lojës, me takimin që do të startojë në orën 15:00, në stadiumin “Flamurtari” në Vlorë.

“Shkodra Sport” mëson se në portë nuk do të ketë ndryshime në krahasim me ndeshjen e fundit ndaj Kastriotit, teksa do të vazhdojë të jetë sërish Zogoviç. Ndërkohë, as në mbrojtje nuk priten ndryshime nga ndeshja e fundit me krutanët. Kapiteni Gurishta do të luajë në të djathtë, në qendër do të jetë dyshja Shehi-Juriç, ndërsa në të majtë Hakaj.

Me skemën 4-2-3-1, dyshja e mesit të fushës përpara mbrojtjes do të jetë e formuar nga Alivoda dhe Jonuzi. Në majë të sulmit pritet të jetë Kaina, teksa në mbështetje të tij do të luajnë Mala, Vulaj dhe Çoba. Ky i fundit do të rikthehet si titullar nga minuta e parë dhe si rrjedhojë, duket se është lënë pas ajo çështje me tifozët.

Ndryshimet që do të jenë në krahasim me sfidën e fundit ndaj Kastriotit, janë Heriç, Marku dhe Hoxhaj dhe në vend të tyre, do të jenë Vulaj, Çoba dhe Kaina, teksa risi nga ndeshjet e para të këtij sezoni në formacion, janë shqiptaro-malazezi dhe shkodrani.

Kjo është 11-shja që trajneri Josa do të hedhë në fushën e lojës nesër ndaj Flamurtarit, teksa në formacionin titullar i ka dhënë besim Çobës, Alivodës dhe Vulajt, të cilët pritet të kenë shansin që të tregojnë vlerat e tyre në këtë ndeshje ndaj vlonjatëve, duke u munduar të japin më të mirën e tyre në fushën e lojës. Realisht, dueli me Flamurtarin do të shërbejë për ta parë Vllazninë ndryshe në pjesën e sulmit. /Maringlen ZHIVANI/

Vllaznia (4-2-3-1): Zogoviç, Gurishta, Shehi, Juriç, Hakaj, Alivoda, Jonuzi, Mala, Vulaj, Çoba, Kaina Tr: Mirel Josa