Flamurtari-Vllaznia do jetë dueli i ditës së sotme, i vlefshëm për 1/16 të kupës së Shqipërisë. Një çift që në vete mes tyre ka pasur përballje interesante, por tashmë duket se ka humbur bukurinë e viteve. Kjo edhe për shkak të rënies së vlonjatëve.

Megjithatë dueli pritet me kureshtje sot. Pasi Vllaznia mund të aktivizojë disa nga lojtarët e stolit e ndërsa kuqezinjtë duan të tregojnë krenarinë e tyre. Por ajo që spikat në këtë duel ështe se me shumë mundësi do ketë një përballje mes vëllezërish në fushën e lojës.

Tek Flamurtari është Denis Pjeshka. Mbrojtësi 27-vjeçar, i formuar dhe aktivizuar tek Vllaznia. E po ashtu i aktivizuar edhe tek Teura e tashmë tek Flamurtari do jetë përballë Paulos. Vëllai i tij më i vogël që tashmë luan tek Vllaznia që prej sezonit të kaluar. Pjeshka i Vllaznisë luan në rolin e mesfushorit e mund të jetë në përballje kundër vëllait nëse aktivizohet.

Një duel vëllezërish në ndeshjen e sotme që shihet rrallë herë në fushat shqiptare. E në familjen Pjeshka mund të jetë zemra e ndarë se për cilin nga djemtë do bëhet tifozllëk në ndeshjen që do luhet në orën 15:00.
Endri ÇINARI