Të enjten në 19.00 në “Elbasan Arena” Vllaznia dhe Apolonia do të luajnë për finalen e Kupës së Shqipërisë të këtij sezoni në futboll për femra. Dy skuadrat më të mira të këtij kampionati do të diskutojnë edhe këtë trofe dhe padyshim që të dyja do të tentojnë fitoren dhe trofeun.

Megjithatë në kampin shkodran ka më shumë optimizëm për këtë gjë teksa të gjithë pjestarët e tij janë të bindur tek suksesi dhe marrja edhe e trofeut të shtatë rradhazi të Kupës së Shqipërisë. Një bindje të tillë e ka shprehur në një prononcim për “Shkodra Sport” edhe golashënuesja më e mirë jo vetëm e Vllaznisë, por edhe e kampionatit, Megi Doçi e cila është shprehur:

“Apoloninë nuk mund ta quaj kundërshtarin e vërtetë të Vllaznisë, sepse jemi shumë larg tyre mënyrës si punohet tek ne, tek rregulli, disiplina, përkushtimi i stafit drejtues, përbërja e ekipit me shumë lojtare cilësore. Në këtë aspekt, Apolonia nuk mendoj se mund të krahasohet me ne.

Thjesht mund ta konsiderojmë si rivalin më të fortë që kemi në kampionat. Na kanë marrë një barazim 0-0 dhe pas asaj ndeshje në Fier, bënë një festë të madhe. Vërtetë për ta ishte një festë sepse kanë shtatë vite që punojnë për të na marrë atë barazim.

Në fakt ai barazim edhe ne na ka ulur me këmbë në tokë. Nuk është aspak mirë për ne, me gjithë ato vlera që kemi, të dalim barazim 0-0 me një kundërshtar si Vllaznia. Duhet të punojmë më tepër, të vlerësojmë maksimalisht kundërshtarin dhe si rrjedhojë tashmë që kemi finalen e kupës me ta, besoj se do t’i bëjmë të pendohen që kanë ardhur në fushë për të luajtur ndaj nesh.

Sa i takon finales të së enjtes, nuk kam qejf të bëj premtime për golat, por di të them se ekipi është përgatitur intensivisht për këtë ndeshje, është i grumbulluar prej disa ditësh dhe është i bindur tek suksesi edhe këtë herë dhe sjellja e kupës sërish në Shkodër”.