Elseid Hysaj po ndiqet nga klubet e mëdha europiane dhe në verë nuk përjashtohet mundësia e largimit të tij nga Napoli.

Këtë e konfirmon edhe vetë menaxheri i futbollistit shqiptar, Mario Xhiufredi, pas zërave se Arsenali dhe një klub tjetër anglez janë gati të bëjnë oferta për lojtarin duke paguar klauzolën prej 50 milionë eurosh.

“Ai është një lojtar i ndjekur nga klube të mëdha në arenën ndërkombëtare. Ka një klauzolë, të shohim se çfarë do të ndodhë deri në qershor, kur skadon klauzola.

Sjellja jonë me Napolin do të jetë gjithmonë ekzemplare, kemi një marrëdhënie shumë të mirë”, theksoi Xhiufredi rreth këtyre zërave.

Shumëkush mendon se me parakalimin e Juventusit në renditjen e Serisë A, lojtarët e Napolit janë dorëzuar në luftën për titullin kampion.

Por menaxheri shpjegon se të gjithë kanë bindjen se skuadra mund të triumfojë në javët e mbetura dhe nuk heqin dorë nga ëndrra e titullit.

“Në dhomat e zhveshjeve kanë ende besim të madh, ekziston bindja se mund të arrihet Juventusi.

Ndoshta ka ndikuar pak lodhja në këto ndeshje të fundit, kjo është ndjesia që kam marrë duke folur me lojtarët që menaxhoj te Napoli, por të cilët janë ende optimistë, aspak të dëshpëruar.

Fakti që nuk kanë asgjë për të humbur, i bën edhe më të prirë ndaj besimit për sukses”, theksoi ai. /vipsport/