Futbolli luhet pikësëpari jashtë fushës së blertë, megjithëse tifozët shohin vetëm aktorët kryesorë. Një hallkë shumë e rëndësishme janë edhe menaxherët, të cilët ashtu siç ndodh edhe me tregtarët, mundohen që ta shesin sa më bukur dhe më shtrenjtë produktin e tyre.

Shpeshherë në Shqipëri vijnë lojtarë të huaj që nuk lënë asnjë gjurmë të vetme, për të qenë hija e vetvetes. Por përse klubet shqiptare zhgënjejnë me këto prurje? “Sport Ekspres” ka kontaktuar me Elton Marinin, njeriun që përflitet se do të mbulojë pjesën e skautizmit te Genoa në Serinë A.

Marini ka takuar dhe shkëmbyer ide me shumë figura të njohura të futbollit në Itali, mes të cilëve veçohet Moggi dhe Maldini. Në kryefjalën e intervistës, ngrihet shqetësimi se zgjedhja që bëjnë klubet shqiptare mbi transferimin e lojtarëve, nuk është aspak profesioniste.

“Pas gjithë këtyre viteve është për të ardhur disi keq që klubet tona operojnë në rrugë jo profesionale për afrimin e futbollistëve. Edhe pse ka platforma ndihmëse si Wyscout apo Instascout, produkti afrohet duke marrë për bazë pamje filmike jo profesionale ose pa bërë një analizë statistikore.

Nuk dua të tregoj mungesë etike që të përmend emra, por deri tani me syrin tim mund të justifikohet vetëm afrimi i Aralica, De Lucas e Totre”- ka thene nder te tjera Marini.