Bastet Sportive pritet të rihapen brenda tre muajve të ardhshëm. Ky është lajmi i bërë i ditur për SuperSport nga Zëvendësministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Endrit Hoxha. Procedurat për rikthimin e basteve sportive kanë nisur prej muajsh, por tashmë pritet që të marrë jetë rihapja e tyre vetëm online, teksa tashmë pritet vetëm ndërtimi i projektligjit që duhet të kalojë në parlament për të vijuar me procedurat e tjera.

“Është bërë një vit dëgjesë me federatat sportive me klubet e shoqëritë. Për një vit diskutime a është mirë të hapen apo jo, këshillime dhe arsyetime tashmë është vendosur që të hapen. Shpresojmë shumë që të hapen brenda këtyre tre muajve. Kjo varet nga drafti i Ministrisë së Financave. Ka disa hapa që duhet të kalojë ligji fillimisht dhe shpresojmë të kemi një ligj të mirë, europian.

Çdo biznes kontrollohet nga shteti shqiptar dhe ndoshta do të ketë 2-3 kompani shumë të mëdha, po shpreh mendimin tim në këtë rast, siç janë në Greqi, Itali, Francë etj. Këto taksa do të mblidhen nga Ministria e Financës dhe ne presim që të ardhurat që vijnë t’i kalojnë sportit, rinisë dhe kulturës.

Numri i licencave që do të operojnë në Shqipëri do të jetë i limituar, ndërsa do të ketë rregulla për konsumatorët në mënyrë që të mos ketë abuzime, duke kërkuar deklarimin e burimit të të ardhurave në rast se do të ketë iniciative për të luajtur shuma të mëdha.

“Do të përpiqemi për mbrojtjen e konsumatorit. Ajo çfarë vlen për t’u theksuar është mbrojtja, nuk do të trembemi se po rikthehen si më parë bastet. Do jenë online, të kontrolluara si të shkosh në bankë e të depozitosh disa të ardhura, nëse kalon një limit do të kërkohet burimi i të ardhurave. E njëjta gjë do të jetë dhe në bastet sportive, pasi nuk do lejohet të luhen shuma të mëdha nëse nuk janë të justifikuara”.

Investimet dhe ndarja e të ardhurave që do të vijnë nga bastet do të përqëndrohet kryesisht tek infrastruktura, por e sigurt është që e gjithë shuma e ardhur nga bastet sportive do t’i kthehet sërish sportit, rinisë dhe kulturës.

“Ne shpresojmë që këto taksa që luhen aktualisht në të zezë të kthehen në benefite të sportit. Lajmi më i mirë është që këto të ardhura do të shkojnë për sportin kulturën dhe rininë”.