Ecuria e Arabisë Saudite në Kupën e Azisë u ndal në fazën e 16-të kundër Koresë së Jugut. Ekipi i drejtuar nga Roberto Mancini, u dorëzua në goditjen e 11-metërshave. Por eliminimin e la në hije veprimi i trajnerit, i cili u largua nga fusha para përfundimit të goditjeve.

Mediat vendase raportojnë se kjo sjellje zgjoi zemërimin e princit Mohammed bin Salman. Justifikimi i Mancinit në konferencën për shtyp “Mendova se penalltitë kishin mbaruar”, nuk bëri gjë tjetër veçse rriti tensionin.

Këtë e dëshmojnë edhe deklaratat e menjëhershme të presidentit të Federatës Saudite të Futbollit, Yasser al-Misehal: “E papranueshme: ai do të duhet të na japë shpjegime. Ne do të dëgjojmë dhe do të marrim vendimin më të përshtatshëm”, ka thënë drejtuesi arab.

Një muaj mjalti saudit që duket se përfundoi shumë shpejt. Kontrata aktuale i garanton Mancinit një marrëveshje deri në vitin 2026 me 25 milionë Euro neto në vit.

Edhe falja që ai u kërkoi arabëve në rrjetet sociale nuk bëri punë. Arabët janë mërzitur për faktin se është dëmtuar imazhi duke pasur parasysh ambiciet që Princi bin Salman, dhe e gjithë Federata e Futbollit të Arabisë Saudite, kishte për këtë Kupë Aziatike. Sauditët kërkojnë organizimin e një turneu të madh, por në sytë e të gjithëve është shteti i Katarit që ka pozitat më të forta.