Ndeshjen e djeshme ndaj Dinamos e ka nisur si mbrojtës i djathtë. E kemi fjalën për qendërmbrojtësin Mevlan Adili.

Në ndeshjen e djeshme, trajneri Brdariç e ka vendosur në rolin e mbrojtësit të krahut të djathtë në mbrojtjen me tre lojtarë. Sigurisht që, Adili e ka patur paksa të vështirë të adaptohet, teksa në përgjithësi bëri mirë në këtë ndeshje.

Megjithatë, duket se jo çdo gjë ka shkuar mirë për Adilin në këtë rol të ri në fushë, teksa në takimin e rradhës kundër Kukësit, trajneri Brdariç nuk do t’i ketë shërbimet e tij. Në minutën e 66-të, Adili frenoi në mënyrë të parregullt Silvën e Dinamos dhe mbrojtësi i Vllaznisë u ndëshkua me karton të verdhë, teksa kështu humbet takimin me Kukësin.

Megjithatë, a është normale që një qendërmbrojtës si Adili të provohet në pozicionin e mbrojtësit të djathtë, duke qenë në stol Fangaj, një lojtar i mirëfilltë në krahun e djathtë të mbrojtjes?

Sigurisht që jo, por në fakt, Adili ka luajtur më përpara, në karrierën e tij, si mbrojtës i djathtë dhe duket se në këtë fakt është bazuar edhe trajneri Thomas Brdariç, që e pozicionoi atë në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Adili është ndër ata lojtarë të Vllaznisë që jep kudo në fushë maksimumin e tij dhe jo më kot, ai mund të quhet edhe “lojtar trajneri”. Megjithatë në rastin e Adilit, aktivizimi i tij në krahun e djathtë të mbrojtjes, sigurisht që është disi i tepruar, duke qenë se në stol është një lojtar i mirëfilltë, si Fangaj.

Megjithatë, përveç këtij fakti, kjo ngaqë Adili nuk mundet të japë maksimumin në krahun e djathtë të mbrojtjes, nga që i duhet kohë të adaptohet në këtë pozicion.

Maringlen ZHIVANI