Sfida e së shtunës në Laç në mes skuadrës vendase dhe asaj të Vllaznisë, konsiderohet shumë e rëndësishme për të dy skuadrat që janë në luftë për fitimin e titullit kampion. Në lidhje me këtë ndeshje ka folur në emisionin “Sport Arena” mbrojtësi Mevlan Adili i cili është shprehur:

“Nuk mendoj se është vendimtare ndeshja me Laçin, por do të ishte shumë mirë për ne të merrnim maksimumin duke e ditur se çfarë ekipi ka Laçi. Ka në përbërje lojtarë të mirë dhe për rrjedhojë meritojnë respekt maksimal.

Mirëpo, nëse bëjmë lojën tonë, nëse shkojmë në Laç dhe luajmë si burrat, gjë që të cilën nuk e vë aspak në dyshim duke nisur nga vetja, mendoj se do ia dalim. Vërtetë kemi zhvilluar dy ndeshje këtë sezon ndaj këtij kundërshtari dhe kemi pësuar dy humbje, por ne nuk do të shkojmë atje për t’u hakmarrë. Do të shkojmë për të marrë atë që na takon neve”.

Vllaznia duket se edhe në Laç ashtu si ndaj Partizanit do të luajë për dy rezultate, ndonëse pikësynimi sipas mbrojtësit të saj me numrin 4, do të jetë fitorja.

“Për të synuar deri në fund titullin kampion, e rëndësishme është që në sfida të tilla duhet të mos humbasësh. Me Partizanin objektivi jonë padyshim që ishte fitorja, mirëpo edhe barazimi nuk ishte keq.

Gjithashtu edhe ndaj Laçit, objektivi do të jetë fitorja, por edhe barazimi nuk do të ishte keq sepse ky rival do të qëndronte sërish poshtë nesh në renditje”- është shprehur Mevlan Adili./SHKODRA-SPORT.COM/