Medalje bronzi për peshëngritësin e Vllaznisë Emanuel Lushi në Kampionatin Europian të 17 vjeçarëve. Ai është renditur i treti në kontinent në peshën 62 kg ku ka konkurruar. Suksesin më të madh e ka patur në stilin e shkëputjes teksa ka ngritur 111 kg dhe është renditur i treti. Në stilin e shtytjes ndërkohë ka ngritur 127 kg duke u renditur i katërti dhe me 238 kg në dygarësh është renditur i katërti në Europë duke qenë shumë pranë medaljeve edhe aty. Natyrisht që ky është një sukses i madh për të si sportist, por edhe për klubin Vllaznia që nxjerr një tjetër medalist Europe por duhet theksuar fakti se mungesa e trajnerit Muhamet Tuzi në Lituani,i ka kushtëzuar të paktën edhe marrjen e dy medaljeve të tjera këtij sportisti.

Përveç kësaj, shumë absurd është fakti se Emanuel Lushi ka udhëtuar drejt Lituanisë me shpenzimet e familjes së tij sepse Federata Shqiptare e Peshëngritjes nuk ka patur fonde për këtë pjesmarrje. Kjo është diçka e palogjikshme sepse medalja e bronztë që ky sportist ka marrë nuk është vetëm e familjes së tij por është e Shqipërisë. E rëndësishme është që Shkodra nxjerr një tjetër sportist cilësor i cili di të përballohet si i barabartë edhe me bashkëmoshatarët e tij europianë. 17 vjeçari nga Berdica, Emanuel Lushi, është një sportist që premton shumë për të ardhmen dhe medalja e bronztë që mori në Lituani duket se është vetëm fillimi i një karriere të suksesshme.
Gjergj KOLA