Pas më tepër se 10 muajsh pauze, më në fund në Shqipëri mund të nisin ndeshjet e kampionateve të basketbollit. Ministria e Shëndetësisë i ka kthyer përgjigje ditën e djeshme Federatës Shqiptare të Basketbollit duke i konfirmuar lejen për zhvillimin e ndeshjeve të basketbollit.

Ka qenë në fakt, kjo Federatë që me datë 11 janar kishte rispërsëritur kërkesën e saj për këtë gjë dhe më në fund, ajo është miratuar. Kuptohet që me vendimin e djeshëm, ndeshjet mund të luhen , por duke respektuar masat e distancimit social si dhe masat higjeno- sanitare për parandalimin e përhapjes së infeksionit covid-19.

Ky padyshim që është një lajm i mirë për basketbollin shqiptar, por në fakt duket absurd sepse në fuqi ende është një vendim i po kësaj ministrie që nuk lejohen hapjen e pallateve të sportit as për stërvitjen e ekipeve. Se si mund të fillojnë ndeshjet, pa u hapur pallatet e sportit për stërvitje, në fakt duket disi absurde, por mesa duket fushata elektorale për zgjedhjet e ardhshme ka përfshirë edhe sportin.

E rëndësishme është që tashmë pas futbollit, edhe basketbolli do të mundet të luajë ndeshjet e kampionateve të tij. Tashmë i mbet në dorë Federatës për të caktuar kohën se kur do të nisin ato dhe mënyrën si do të zhvillohen.

Shumë prej lojtarëve cilësorë të kampionatit tonë, përfshi këtu edhe ato të Vllaznisë, tashmë janë larguar për në Kosovë dhe për këtë arsye, kuptohet që niveli i kampionatit tonë do të jetë shumë i dobët, megjithatë për momentin e rëndësishme është që më në fund, edhe basketbolli do të nisë të marrë jetë pas plot 10 muajsh pauze totale./SHKODRA-SPORT.COM/