Shkëlqim Muça, ashtu si çdo javë në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, ka analizuar dhe javën e 12-të të “Abissnet Superiore”.

Partizani, inagurimi me fitore – “Marrja e tri pikëve ishte qershia mbi tortë e inagurimit. Ishte një ndeshje e mirë, sidomos në pjesën e parë, Partizani e dominoi, në sulm është pak konfuz, nuk është shumë i shpejtë. Fusha mund ta favorizojë që të luajë akoma më shpejtë. Në pjesën e dytë ishte më i ngadaltë. Gjithsesi skuadra funksionon. Kjo periudhë do i shërbejë për tu konsoliduar më shumë. Është mirë, sepse është në krye”.

“Klasikja” pa gola – “Në pjesën parë Vllaznia luajti e hapur, në pjesën e dytë ndryshoi. Ishte një nga ndeshjet e bukura që u zhvillua, pavarësisht se terreni nuk e favorizonte. E kam thënë edhe më parë, që Tirana ka potencial, por edhe Vllaznia po më pëlqen. Është një ekip që do të jetë pretendente deri në fund, bashkë me Tiranën dhe Partizanin. Xhixha mungon në Kombëtare? Reja nuk do të ndryshojë skemën për Xhixhën”.

Fitorja e Erzenit – Për Teutën nuk kam se çfarë të them, por fjalët më të mira për Erzenin. Nga java në javë po konsolidohet më shumë. Lojtarët po dalin në evidencë për cilësitë që kanë. Edhe kur është 0-1 bën lojë sulmuese, pastaj dhuron edhe spektakël. Kishte një moment jo para dy tri ndeshjesh, por e kaloi”.

Fitorja e Egnatias ndaj Laçit – “Egnatia ka bërë një lojë të mirë gjeti një ekip shumë të fjetur. Mendoja se Laçi do të kishte më shumë grint, më shumë dëshirë, por i mungoi, e pranoi edhe trajneri”.