Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, pas miqësores së zhvilluar në Pogradec ndaj Dinamos foli për “Panorama Sport”, ku padyshim nuk i vuri rëndësi rezultatit, por qëllimit që skuadra deshi të arrinte për sa i përket formës fizike. Mehmeti shprehet se ngarkesa e madhe fizike ka ndikuar në paraqitjen e së shtunës, teksa thekson se talentet tashmë do të kenë vëmendje më të madhe nga Partizani.

Sa ju shërbeu kjo miqësore ndaj Dinamos dhe si ju duk skuadra?
Skuadra ka pasur shumë ngarkesa në aspektin fizik, duke qenë se jemi para kampionatit dhe është ngarkuar thuajse në maksimum me dy seanca të plota stërvitore në ditë. Qëllimi i ndeshjes së djeshme ka qenë që të mbahet ritmi. Në këto ndeshje lojtarët janë të ngadaltë në veprimet e tyre, sepse ngarkesat fizike ndikojnë në shpejtësinë e veprimit. Nuk po punojmë për të fituar këto miqësore, por në planin afatgjatë, për t’i dhënë ngarkesë skuadrës për të përballuar kampionatin, jo këto miqësore.

Pavarësisht aspektit fizik, sa i kënaqur jeni me atë që skuadra dha ditën e djeshme në fushë?
Jam i kënaqur për stërvitjet që kemi bërë deri më tani, por nuk mund të them të njëjtën gjë për mënyrën se si e interpretuam ndeshjen e djeshme. Gjithsesi, duke pasur parasysh stërvitjet intensive të ditëve të fundit, justifikohet pjesërisht ajo paraqitje ndaj Dinamos.

Pamë lojtarë të rinj, që u aktivizuan dhe ishin mjaft aktivë. Do t’u besojë Partizani më shumë të rinjve në të ardhmen?
Për sa i përket elementit të ri, duke pasur parasysh që tashmë jemi futur në kompleksin e ri të klubit, mendoj se klubi ka ndryshuar edhe strategji. Ne po punojmë më shumë për të ardhmen dhe për t’i dhënë më shumë besim produktit vendës, e sidomos akademisë. Do të kemi më shumë besim te lojtarët e rinj, sigurisht brenda kualitetit që ka dhe kërkon Partizani.

Duke parë atë që kanë bërë rivalët në merkato deri më tani dhe lojtarëve që ka sjellë Partizani, mund ta sulmoni titullin në këtë sezon?
Unë normalisht merrem me strukturimin e skuadrës. Për sa u përket afrimeve, një pjesë e mirë janë përshtatur, një pjesë tjetër kërkon më shumë kohë për ta bërë këtë. Gjithsesi, duke pasur parasysh që kampionati është i gjatë dhe konkurrenca është e madhe, duhen disa afrime në vijim, veçanërisht në sulm, në linjat anësore dhe qendër, pasi kemi parasysh që kampionati është i gjatë dhe i vështirë. Drejtori (Elton Marini) po mundohet, është marrë gjithë kohës me pjesën e merkatos dhe po punon për të arritur të marrë elementët që na duhen për të qenë aty ku i takon Partizanit.

Pas eliminimit nga Saburtalo, ka ardhur vetëm Menish dhe merkatoja duket se ka pësuar një ngecje momentale. Si ju është justifikuar klubi, mos ka vështirësi për gjetjen e lojtarëve të duhur?
Klubi mundohet gjatë gjithë kohës të na plotësojë nevojat dhe ka qenë i hapur për kërkesat tona. Me këtë punë po merret drejtori, pra për plotësimin e skuadrës.

Nga ajo që keni parë nga ndeshjet miqësore, por edhe përballjet europiane të rivalëve, cilat ekipe pritet të jenë rivalët më të fortë të Partizanit?
Për të qenë i sinqertë janë mjaft treguese ndeshjet në Europë, por fakti që këto ndeshje luhen në mes të korrikut, kanë edhe një muaj për t’u përgatitur dhe skuadrat mund të pësojnë ndryshime në merkato, nuk më ndihmon të dal në një përfundim. Partizani ka konkurrent veten fillimisht, por mund të themi se dihen rivalët tradicionalë, që kanë qenë gjatë gjithë kohës në luftën për titullin./PANORAMA-SPORT/