Vllaznia në javën e 8-të të Superiores do jetë mysafire në Laç. Skuadra shkodrane përballë do ketë vendasit e Laçit, që do mundohen ti bëjnë “dëm” kuqebluve. Një sfidë aspak e lehtë për të besuarit e Joses. Pavarësisht se disi është thyer tabuja e transfertave në Kurbin.

Kjo edhe nga fitorja e sezonit të shkuar në shifrat 3-5 të shkodranëve pikërisht përballë bardhezinjëve. Por nëse ka një moment që duhet të shfrytëzojë Vllaznia është pikërisht forma e dobët që ka Laçi këtë edicion. Pavarësisht se laçianët morën një barazim në shifrat 3-3 kundër Tiranës në transfertë në javën e 7-të, situata nuk është më e mira tek ekipi.

Kjo pasi ky mund të jetë starti më i keq i 10 viteve të fundit i Laçi. Skuadra ka marrë vetëm 1 fitore në 7 javët e para. Edhe atë në raundin e parë në shifrat 3-1 kundër Teutës. E më pas ka pësuar 4 disfata të njëpasnjëshme, për të ardhur tek barazimi i fundit. Pra vetëm 4 pikë dhe një lojë që po lë për të dëshiruar.

Po ashtu Laçi është skuadra që ka pësuar 9 gola, ku më keq se ata ka bërë vetëm Teuta me 10 gola të pësuar. Një moment që duhet shfrytëzuar nga Vllaznia, pavarësisht se Laçi nuk mund të konsiderohet kurrë si një kundërshtar i lehtë. E po ashtu edhe problematikat që kanë vetë shkodranët, e bëjnë ndeshjen shumë interesante.
Endri ÇINARI