Vllaznia do udhëtojë drejt Korçës në javën e 22-të të kampionatit. Kuqeblutë do kenë përballë vendasit e Skënderbeut në një sfidë që premton për një duel shumë interesant.

Kjo duke parë edhe pozitat ku ndodhen skuadrat, ku në njërin krah është Vllaznia që synon vendet e para të renditjes e në krahun tjetër Skënderbeu që do ti shkëputet fundit të tabelës.

Por për një lojtar në veçanti ky udhëtim drejt Korçës patjetër që do ketë emocione të veçanta. Fjala është për Liridon Latifin. Sulmuesi i Vllaznisë u bë i njohur në futbollin tonë, ku pastaj u transferua edhe në Europë, pikërisht nga Skënderbeu. Korçarët e afruan prishtinasin si një talent të madh, ku i besuan shumë dhe në fund u shpërblyen.

28-vjeçari u aktivizua në vitet 2015-17 tek bardhekuqtë duke arritur suksese të mëdha jo vetëm në Superligë, por edhe në Europë, ku korçarët mbërrinin deri në grupet e Europa League. Tifozët e “ujqërve” patjetër që nuk e harrojnë kontributin e madh që dha edhe Latifi për ta.

Për numrin 7-të të Vllaznisë do jetë një rikthim në Korçë për herë të parë në karrierën e tij. Patjetër që përveç lojës në fushë, për Latifin do ketë edhe një lojë emocionesh në një qytet ku arriti sukese të mëdha dhe u bë i njohur në futbollin shqiptar, por edhe atë europian.

Endri ÇINARI