Një nga lojtarët kryesorë të Astanës, Aslan Darabaev, ka folur në lidhje me ndeshjen e sotme ndaj Partizanit. Mesfushori, i cili në vitin 2014 i ka shënuar Kukësit me fanellën e Kairatit, shprehet se ndaj Partizanit ai dhe shokët janë gati të vdesin në fushë dhe se fitorja është opsioni i vetëm. Darabaev shton se në këtë ndeshje të parë Astana duhet të sigurojë një fitore me diferencë golash ndaj Partizanit, për të mos e diskutuar kalimin në grupe në ndeshjen e dytë.

NDESHJA – “Të gjithë e kuptojmë se kjo është një ndeshje me shumë përgjegjësi. Ne jemi të vendosur vetëm për të fituar, kjo është e sigurt. Madje, në fushën tonë duhet të arrijmë një rezultat komod, që në ndeshjen e kthimit të kemi një diferencë të konsiderueshme”.

RËNDËSIA – “Gjendja psikologjike është e rëndësishme për ekipin. Por ne jemi të gjithë 200% gati dhe e kuptojmë se këto dy ndeshje janë më të rëndësishmet në këtë fazë të sezonit. Prandaj, ne do të hedhim të gjitha forcat tona, do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë. Do të vdesim në fushë. Gjëja kryesore është të arrijmë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Djemtë janë gati, të gjithë e kuptojnë rëndësinë”.

HUMBJA ME LUDOGORETS – “Mund të them se çdo futbollist dëshiron të luajë futboll sulmues. Por trajneri zgjedh taktikat. Nuk mund t’i përgjigjem pyetjes pse pësuam katër ose pesë gola. Nuk mund t’i përgjigjem pyetjes pse Brazili pranoi 7 gola nga Gjermania në Botërorin në shtëpi. Ky është futbolli, ndodh. Ne thjesht përgatitemi nga ndeshja në ndeshje dhe duam të fitojmë secilën prej tyre”, përfundoi mesfushori.