Ka ndodhur në ndeshjen e Ligës së Kampioneve të të rinjve, por kjo e sotmja ishte edhe më e madhe. E kemi fjalën për pjesmarrjen e tifozëve shkodranë në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”.

Ndonëse luhej një ndeshje femrash, të pranishëm në shkallët e stadiumit kanë qenë rreth 3 mijë tifozë. Tribuna qendrore ka qenë thuajse e mbushur tërësisht dhe kjo ka detyruar drejtuesit e stadiumit që në pjesën e dytë të hapin edhe tribunën C, atë pas porte.

Ky padyshim që është sportdashësi shkodran, ai që e dashuron sportin dhe në veçanti futbollin. Për rrjedhojë, thirrjes së drejtuesve të Vllaznisë për t’i mbështetur në këtë ndeshje të rëndësishme të Ligës së Kampioneve të Europës ndaj danezeve të Fortunës, ata iu përgjigjën pozitivisht.

Prania e rreth 3 mijë tifozëve në stadium në një ndeshje të tillë është vërtetë një rekord për t’u veçuar. Kjo sepse në thuajse 80 për qind, për të mos thënë edhe më shumë të ndeshjeve të Superligës së meshkujve, kjo shifër nuk arrihet.

Ja pse, dënimi i fushës së Vllaznisë me 4 javë nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së është një mëkat i madh sepse mungesa e këtyre tifozëve në shkallët e stadiumit, është një humbje e madhe edhe për kampionatit.
© shkodrasport.com