Mund të duket e çuditshme por është mëse e vërtetë. Ka ndodhur sot në ndeshjen e kategorisë së parë, atë në mes “Vllaznia B” dhe Tërbunit që u fitua nga pukjanët 1-0. Pjesa e parë e kësaj ndeshje nuk ka zgjatur 45 minuta siç e parashikon rregullorja (pa llogaritur edhe ndonjë shtesë), por dy minuta më pak, pra 43. Pikërisht pas vërshëllimës së fundit të arbitrit Halo, futbollistët e Vllaznisë por edhe stafi teknik janë parë të shkojnë drejt tij për të kundërshtuar mbylljen e pjesës së parë para kohe kur në fakt kishte vend edhe për shtesë sepse kishte disa ndërprerje.

Trajneri Kraja në fakt ka qenë shumë i nervozuar, i ka treguar kronometrin arbitrit duke i treguar se ka gabuar por ai se ka marrë parasysh dhe kjo ka sjellë irritimin edhe më shumë të trajnerit shkodran dhe jo më kot, arbitri i ka treguar dhomat e zhveshjes. Çka do të thotë se në fillimin e pjesës së dytë nuk e ka lënë të ulet në pankinë për shkak të dënimit që i ka dhënë. Kjo ka sjellë një irritim të situatës në fushën sportive “Reshit Rusi” në fakt. Trajneri Kraja në fund të ndeshjes është shprehur kështu në lidhje me këtë çështje: “Nuk e kuptoj ku e marrin guximin arbitra të tillë të vijnë në Shkodër e të gjykojnë në mënyrë të tillë. E ngrita zërin javën e kaluar pas ndeshjes me Egnatian por askush nuk na e vuri veshin. Dhe vjen sot sërish një tjetër dhe vepron në të njëjtën mënyrë. Madje, nga informacionet që mora, FSHF kishte planifikuar tjetër arbitër për këtë takim dhe mbrëmë është ndryshuar sepse kështu mesa duket i ka interesuar kundërshtarit. Absurditeti më i madh arrin deri aty saqë arbitri e mbyll pjesën e parë pas 43 minutash! Të gjithë kemi kronometra dhe e masim kohën. Çfarë ndodh në Shkodër nuk ndodh askund. Kishim objektivat tona por me këto arbitra natyrisht që nuk mund t’i arrijmë. Me ekipet e Vllaznisë mesa duket të gjithë luajnë kollaj”.

© shkodrasport.com