Edhe pse ishte kapiteni i Shkupit u transferua te Egnatia jo me shumë bujë por thjeshtë si një nga përfocimet e shumta të verës së shkuar, por kur shikon CV e tij e kupton që bëhet fjalë për një mesfushor shumë cilësor që mund të shndërrohet në një nga më të mirët e Abissnet Superiores në vetëm pak kohë.

Besar Iseni bashkë me Bruno Telushin janë dy liderat e mesfushës së rrogozhinasve me Gugash Maganin që beson shumë te 24-vjeçari i lindur në Shkup duke i dorëzuar kabinën e regjisë. Në 8 javët e para ish-lojtari i Shkupit ka qenë një titullar i padiskutueshëm te skuadra sapongjitur në Superiore duke rritur rendimentin e tij ndeshje pas ndeshjeje.

Paraqitjen më të mirë në këtë sezon Besar Iseni e bëri në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë ku shënoi një supergol që i dha avantazhin provizor Egnatias por spikati edhe në aspeket siç është evidentuar nga statistikat e publikuara në emisionin e Supersport “Analizë Superiore”.

Shumica e aksioneve të Egnatias në duelin ndaj shkodranëve nisën nga këmbët e tij me 24-vjeçarin që ishte iniciator i 50 të tillëve duke realizuar me sukses plot 39 me një mesatare saktësie prej 78%. Përsa i përket pasimeve Iseni ishte akoma edhe më i saktë duke regjistruar 33 pasime të sakta nga 34 në total me një përqindje saktësie prej 97%.

Një tjetër aspekt pozitiv ishte fakti që ai humbi vetëm një top gjatë gjithë ndeshjes. Përpara se të transferohej te Egnatia Besar Iseni ka luajtur gjatë gjithë karrierës së tij në Maqedoninë e Veriut me vetëm 2 skuadra, Shkupin ku ka nisur edhe karrierën si profesionist dhe Vardarin me të cilët u aktivizua në sezonin 2017-2018.

Sezonin e shkuar i shkoi shumë afër titullit me Shkupin por në fund ishte Shkëndija që festoi ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut numëron edhe 13 gola në total. Besar Iseni ka qenë pjesë edhe e kombëtares së 21-vjeçarëve të Maqedonisë me të cilët është aktivizuar në 3 sfida eliminatore.

Ajo qe mesohet eshte se ky lojtar para se te shkonte te Egnatia iu propozua drejtuesve te Vllaznise dhe madje per te, mesohet te jete shprehur me superlativa edhe Mevlan Adili ngaqe e njihte nga afer, por me pas nuk dihet pse kjo transferte nuk u krye dhe mesfushori nga Shkupi perfundon ne Rrogozhine.