Të hënën fillojnë ndeshjet e fundit në grup për skuadrat pjesëmarrëse në Rusi 2018, të cilat do të përcaktojnë edhe emrat e mbetur nga ata që nuk janë kualifikuar në fazën e mëtejshme të turneut.

Por këto ndeshje janë shumë të rëndësishme edhe për të përcaktuar hierarkinë brenda grupit sa i përket vendit të parë dhe të dytë, për të mësuar se në cilin krah të skemës së rrugëtimit drejt finaleve do të jenë ekipet.

Nëse faza 1/16 do të zhvillohej sot, do të kishim duele mjaft interesante dhe degëzimin drejt finales që praktikisht do të mblidhte të gjitha skuadrat më të forta bashkë.

VIP Sport ju tregon se si do të ishte faza tjetër e Botërorit pa marrë parasysh ndeshjet e fundit në grupe dhe duelet do të ishin spektakolare.

Një prej tyre padyshim do të ishte ai mes Brazilit dhe Gjermanisë, në njërën anë të skemës e cila do të shihte të ngjeshura bashkë edhe skuadra si Portugalia, Franca dhe Anglia.

Të gjitha këto ekipe herët a vonë do të përballeshin me njëra-tjetrën për një vend në finalen e madhe të 15 korrikut.

Nga ana tjetër, skema do të shihte padyshim një rrugëtim më të lehtë në letër për ekipe si Spanja e sidomos Belgjika, të cilët do të evitonin përballjet më të komplikuara në rrugën drejt finales dhe do të ishin ekipet favorite në këtë anë të skemës.

Sigurisht, gjithçka mund të ndryshojë nga ndeshjet e fundit në grup, por me renditjet aktuale, a nuk do të ishte bukur të shihnim përballje të mëdha në çdo fazë të turneut? /vipsport/