Më shumë se për skuadrën, Nevil Dede fitoren e djeshme të Vllaznisë ndaj Kastriotit e quajti të rëndësishme për trajnerin Josa i cili ashtu si dhe skuadra kanë qenë në një presion të madh pas humbjes të javës së kaluar në Rrogozhinë.

Trajneri aktual i Dinamos ka qenë i ftuar në emisionin “Skaner” ku ndër të tjera ka nxjerrë në pah sipas tij edhe një problem që po shqetëson aktualisht te Vllaznia, formën jo të mirë të disa prej lojtarëve të saj.

Vllaznia ishte në një nga udhëkryqet e sezonit që kalon çdo skuadër dhe në fakt ajo nuk e mendonte se do t’i vinte kaq shpejt udhëkryqi i parë. Vetë qyteti e vuri në presion shumë të madh skuadrës pas humbjes që bëri një javë më përpara.

Në futboll kanë një përqindje të madhe emrat e lojtarëve që t’i ke në dispozicion në fushë, por një përqindje tjetër në rezultatet e një skuadre ka edhe fati. Sepse të shënosh në sekondën e 35-të, është si të heqësh një litar nga fyti dhe ti pastaj fillon e merr frymë lirshëm.

Por prapë gjithsesi u duk qartë se Vllaznia e luajti në një presion shumë të madh këtë ndeshje dhe u mundua ta menaxhonte më së miri lojës. Duke kërkuar që së paku kundërshtari të mos i vinte në 16-she, pavarësisht se Kastrioti e vuri në vështirësi reale. Dhe në pjesën e dytë mund edhe ta kishte barazuar rezultatin dhe nëse do ndodhte kjo, nuk dihej pastaj se si do të vazhdonte historia e kësaj ndeshje.

Në gjykimin tim, Josa mori tre pikë me shumë vlerë sepse i duheshin në mënyrë që kjo skuadër të ndjehej disi e qetë, por prapë kam disa hije dyshimi për këtë skuadër sepse në momente të caktuara disa lojtarë nuk po japin atë që pritet prej tyre. Ndoshta u mungon entuziasmi pavarësisht se u bë lajm edhe për rikthimin e dy lojtarëve apo dhe aktivizimi i një futbollisti të datëlindjes 2003 si Alivoda”./SHKODRA-SPORT.COM/