Ditët e fundit, Armando Broja u kthy në temën e ditës. Lojtari që është nën kontratë me Çelsin, i bëri të gjithë shqiptarët të ëndërrojnë për Botërorin “Katar 2022”. Si rrjedhojë vetë 20 vjeçari u bë protagonist edhe me intervistat e tij, ku e deklaronte me krenari që ndonëse ai ka lindur në Angli, prindërit e tij janë nga Kopliku dhe po ashtu e thoshte me krenari se “jam malësor”.

Nisur edhe nga kjo mediat shkuan deri në Kamicë të Malësisë së Madhe, fshat ku Armando ka shtëpinë e familjes së tij dhe ku ai vjen çdo verë për të kaluar pushimet. Kjo padyshim që i ka bërë krenarë të gjithë banorët e këtij fshati.

Por ndërkohë, drejtori teknik i Akademisë Vllaznia Alban Neziri në një prononcim për “Shkodra Sport”, duke folur në lidhje me këtë rast, “zbulon” edhe diçka tjetër. Nga Malësia çdo vit vijnë e stërviten me Akademinë Vllaznia rreth 30-40 fëmijë të cilët në ndryshim me shkodranët, sakrifikojnë shumë sepse e duan futbollin dhe prandaj kanë sukses.

“Kombëtarja shqiptare ka vite që ka marrë lojtarë nga Malësia e Madhe dhe jo vetëm tani me Brojën. Edhe tek Akademia Vllaznia, lojtarët nga kjo zonë janë një pjesë e rëndësishme e saj. Në çdo vit, kemi nga 30-40 futbollistë që vijnë nga Malësia e Madhe.

Janë djem që sakrifikojnë, ndryshe nga djemtë e Shkodrës që me thanë të drejtën janë më të brishtë, por këta janë djem që bëjnë sakrificë. Vetëm rrugë ata bëjnë nga 40-50 kilometra për të ardhur në stërvitje e për të shkuar sërish në shtëpitë e tyre. Këta djem kanë sukses dhe prandaj rasti i Armando Brojës apo dhe të tjerëve, nuk është rastësi”.- ka thënë Neziri në prononcimin e tij./SHKODRA-SPORT.COM/