Java e katërt e kampionatit do e gjejë Vllazninë sërish në transfertë. Kuqeblutë do vizitojnë ditën e shtunë në orën 15:00 qytetin e Rrogozhinës për tu përballur me vendasit e Egnatias. Një sfidë aspak e lehtë dhe që paraqet kundërshtarët në formën e duhur. Kjo pasi vijnë nga një fitore në Laç në shifrat 0-1.

Por megjithatë, shkodranët do kërkojnë maksimumin pas fitoreve me Kukësin dhe Tiranën. Tek Egnatia pjesë e skuadrës janë elementë që në të shkuarën kanë qenë përbërje e Vllaznisë. Duke filluar nga stafi teknik, ku në këtë sezon në detyrën e drejtorir sportiv është emëruar Ndriçim Shtubina. Ish-kapiteni i Vllaznisë pas mbylljes me futbollin e luajtur ka preferuar ta vijojë karrierën si drejtues.

Dhe këtë po e bën në skuadrën ku luajti 2 vitet e fundit të karrierës së tij. Për të kaluar tek fusha e lojës. Portën e mbron Alen Sherri, prodhim i akademisë Vllaznia dhe pjesë e skuadrës së parë kuqeblu për shumë vite, pas aventurës në Laç, gardiani tashmë e sheh veten në Rrogozhinë. Edhe në mbrojtje janë dy ish-futbollistë të shkodranëve.

Abdurrahman Fangaj dhe Renato Malota kanë qenë titullarë në këto javë. Të tre futbollistët priten sërish në fushë në përballjen e së shtunës. Ku do kenë një sfidë ndoshta disi me nostalgji për ngjyrat që dikur kanë mbrojtur përgjatë karrierës së tyre.


Endri ÇINARI