Kombëtarja u-19 do nisë sot ndeshjet eleminatore për Europianin në takimin kundër Francës. Kuqezinjtë do kenë përballë bashkëmoshatarët e “gjelave”, të cilët vijnë si pretendentë në këtë takim. Francezët gjithashtu janë edhe tre herë fitues të europianit për 19-vjeçarë. Ata kanë fituar në vitet 2005, 2010 dhe 2016.

Por, nga ana e tyre edhe kombëtarja e drejtuar nga Armando Cungu ka pretendimet e saj në këto kualifikuese.
E kjo grupmoshë ka grumbulluar në gjirin e saj shumë futbollistë me origjinë nga Shkodra.

Bien këtu në sy treshja e akademisë Vllaznia, Paulo Pjeshka, Rejan Alivoda dhe Leonard Kaçaj. Por, nuk mungon as Marcelino Preka, prodhim i akademisë Shkodra dhe që aktualisht luan tek Bylis apo edhe Klevis Bebeziqi, një tjetër produkt i akademisë Vllaznia, që aktivizohet në Slloveni me Olimpia Ljubjana.

Po ashtu Elio Zalli (Sasuolo), Daniel Hysaj (Napoli) janë futbollistë me origjinë nga Shkodra. Nuk duhet harruar edhe Endri Zenelaj (Sasuolo), lojtar me origjinë nga Kopliku. Pra, një kombëtare shkodrane kjo e u-19 që sot fillon rrugëtimin e kualifikuesve.

Ndeshja kundër Francës do luhet në Rrogozhinë, në stadiumin “Egnatia Arena”. Takimi do startojë në orën 14:00. Përveç Francës, në këtë grup kundër kombëtares të drejtuar nga Armando Cungu do jenë edhe Serbia e Maqedonia e Veriut.
Endri ÇINARI