Në ndeshjen e djeshme të Serisë A mes Veronës dhe Sampdorias, ka ardhur edhe goli i parë në elitën e futbollit italian për mbrojtësin e Kombëtares së Shqipërisë, Marash Kumbulla.

19-vjeçari kaloi Veronën në avantazh në pjesën e parë të lojës, teksa përfitoi nga një goditje këndi për të shënuar me kokë.

Një realizim i bukur, ndërsa përveç kësaj pjese Kumbulla bëri një paraqitje të mirë edhe në mbrojtje duke i dhënë një ndihmë thelbësore të tijve në suksesin 2-0. Në vlerësimin pas ndeshjes nga Eurosport, Kumbulla ka rezultuar me notën më të lartë nga Verona, 7.5.

“ Lojtari i klasit 2000 rikthehet pas pezullimit dhe ngjitet në katedër para tifozerisë së tij. As nuk i ndjen 17 vite diferencë me Kualjarelën, duke anuluan golashënuesin e sezonit të kaluar.

I relaksuar, i kthjellët dhe nuk gabon në asnjë zgjedhje. Dirigjon me autoritet linjën mbrojtëse. Goli, i pari në Serinë A, është vetëm qershia mbi tortë”, ishte komenti i Eurosport. Ndërkaq, një vlerësim pozitiv edhe për mbrojtësin e përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani, të cilit i është vendosur nota 6.5./vipsport/