Cristiano Ronaldo – Antoine Griezmann 1 – 1. Ylli i Real Madridit realizoi një tjetër gol të bukur në derbi, por bomberi francez i Atletico-s iu përgjigj me të njëjtën monedhë.

Diferenca në renditje vazhdon që të jetë e njëjta. Bardhekuqtë janë 4 pikë më shumë se sa rivalët e qytetit, por Barcelona e vendit të parë është +11.

Në një sfidë mjaft emocionuese, Reali dhe Atletico e mbyllën në barazim 1-1. “Galaktikët” ishin më kërkues dhe krijuan më tepër raste, por një Jan Oblak i pakalueshëm në portë i dha bardhekuqve 1 pikë.

Real Madrid pretendoi për dy penallti, në fillim të takimit kur Toni Kroos u rrëzua nga Juanfran (10’) dhe kur Godin ndërhyri ndaj Lucas Vasquez (74’).

Pjesa e parë dhuroi një lojë me ritëm të lartë dhe aksione nga të dyja skuadrat. Rasti më i mirë ishte në minutën e 10 kur Cristiano Ronaldo iu afrua shumë golit, por nuk arriti që të mposhtte gardianin e bardhekuqve Jan Oblak.

Edhe Marcelo goditi traversën. Ndërkohë për Atletico-n rrezikoi Diego Costa. Në 45 minutat e para ishin pritësit të cilët kontrolluan dhe rrezikuan më shumë.

Ndërkohë që edhe pjesa e dytë nisi me “Galaktikët” protagonistë.

Vetëm se këtë herë goli nuk vonoi shumë. I zakonshmi Cristiano Ronaldo kaloi të tijtë në avantazh në minutën e 53 pas një shpërthimi të Gareth Bale nga e majta.

Uellsiani krosoi dhe ylli portugez me kokë realizoi. CR7 ka shënuar 20 gola në 10 sfidat e fundit si edhe 24 të tillë në 14 sfida.

Por gëzimi i “Galaktikëve” nuk zgjati shumë, pasi Griezmann iu përgjigj CR7. Kombinim midis Partey dhe francezit dhe ata u futën në zonën e rreptësisë, topi shkoi te Vitolo i cili e dërgoi sërish te Griezmann që e futi në rrjetë. Deri më tani, sulmuesi francez ka realizuar 18 gola në 20 sfida këtë vit.

Madje 2 minuta më pas bardhekuqtë patën një rast të artë për të dyfishuar, por krosi i Saul u devijua nga portieri Keylor Navas.

Në të 63’, koha për pushim për CR7. Vendin e tij e zuri Benzema.

Në vazhdim, loja vazhdoi që të ishte intensive dhe pati raste goli.

Megjithatë bardhekuqtë treguan kujdes ndaj kërcënimeve të Realit, dhe gjithashtu krijuan raste të rrezikshme. Por deri në fund, rezultati nuk ndryshoi megjithë përpjekjet e “Galaktikëve”.

Pro duhet thënë se një kontribut të madh në pikën e marrë dha portieri i Atletico-s Jan Oblak i cili bëri pritje të mrekullueshme./EDS/