Nga prof. dr. Xhevdet Zekaj

Teksa po shikoja një dokumentar në Netflix, “Bad Sport”, emission, teksa seri e radhës me temë Juventusin fliste për “Calciopoli” në Itali, aty ku Luciano Moggi ishte shndërruar në njëlloj oktapodi për futbollistët, edhe trajnerë dhe gjyqtarë futbollit etj., që i bënte vegla qorre, m’u kujtua një moment personal, pas ndeshjes së kombëtares me Poloninë, në “Air Albania”.

Sapo zbrita shkallët, i lodhur dhe mërzitur nga humbja, po kaloja mendueshëm dhe anash meje ecte Tefik Osmani, drejtori i Tiranës. Duke u bërë gati ta përshëndesje, një përfaqësues i SKËNDERBETIT, me ironi prej provinciali tha: Tefik, e sheh këtë që të sulmon në media… Në fakt, nuk e ktheva kokën drejt tij, duke e ditur mirë se të tillë persona, që e kanë shitur e blerë futbollin sipas midesë së tyre, që nuk kanë bërë asgjë më pak se Moggi në vendin tonë, nuk meritojnë fare vëmendje.

Hajduti bërtet kapeni hajdutin, i korruptuari dhe cipëplasuri kërkon të bëjë pis edhe të pastrit, ndaj lëreni në makutërinë e tij, sepse si ka thënë Sir Winston Leonard Spencer-Churchilli: Nëse do qëllosh me gurë çdo zagar që leh rrugëve e do merresh me ta, kurrë nuk do arrish në destinacion.

Megjithatë, një sqarim duhet ta bëj për raportin Xhevdet-Tefik Osmani, qoftë në plan miqësor, qoftë institucional. Dua t’i kujtoj atij personi të Skënderbetit, që duhet ta kishte vendin tjetër kund, ndoshta edhe në SPAK, qoftë për trukimet e ndëshkuara nga UEFA, por kurrë nga FSHF dhe drejtësia shqiptare, qoftë për punën që ka bërë në shtet, në kohën e bodeviçit, ku mbushte xhepat duke vjedhur taksapaguesit shqiptar.

Personalisht, (pavarësisht se si mendon Tefiku, dhe kjo ka shumë pak rëndësi për mua) si qytetar kam një raport mjaft normal me Tefik Osmanin, madje duhet ta falënderoj publikisht se ma ka pranuar qysh kur Skënderbeu i merrte titujt radhazi duke nëpërkëmbur kundërshtarët, duke luajtur jashtë kuadratit të blertë, se çfarë ndodhte në futboll (aman o Xhode se marrim rrogat, nuk bëjmë qeder), dhe e besova, e besoj për ato që më tha. Një sinqeritet, që nuk e kam ndeshur të tjetër kush.

Prandaj si qytetar dhe ish-futbollist me Osmanin nuk kam asnjë problem, madje kam thënë shpesh se ai luan mirë jashtë e brenda fushe, madje ato pak herë që e kam takuar ia vlerësoj humorin, edhe përse jo në shijen time. Kaq e thjeshtë! Sot, në pozicionin e drejtorit të Tiranës, e respektoj, edhe nëse nuk dua, sepse kështu respektoj klubin më të titulluar në vend, Tiranën, ku ai është një punonjës i rëndësishëm.

Pra, raporti ynë është edhe institucional, gazetar-drejtor. Le t’i lëmë mënjanë raportet miqësore, në të cilat drejtuesi jo pak i lartë i Skënderbetit dëshiron të ndërhyjë si fodull. Po, unë jam gazetar i pa kapur nga ky apo ai president klubi, nuk bëj qoka të askujt, sepse nuk kam ngrënë gjellën e prishur të askujt, nuk kam udhëtuar gratis jashtë vendit për ndeshje të ndryshme, nuk marr borxhe te presidentët, as futem nëpër bagazhet e makinave të tyre, as më kanë dehur, as më kanë dhënë shtëpi në plazh, as më paguajnë hotele, as nuk kam ngrënë dreka e darka nga ata, as jam menaxher apo dreqi vetë.
Prandaj nuk do ma mbyllin gojën. Kurrë nuk mendoj se jam më i miri apo më i vërteti, jam njëri si ata, gazetarët e thjeshtë e të pakapur. Prandaj, e them të vërtetën ashtu si e mendoj, pa dhënë pretenca dhe akuza, sepse nuk jam prokuror. Kritikoj kur shoh se futbollit i hyhet në hak, qoftë përmes trukimeve, qoftë në mënyra të tjera alla shqiptarçe, aspak “fair-play”.

Sepse këtë sport, para së gjithash e përjetoj prej gjysmë shekulli si tifoz i kristaltë, larg interesave meskine të gjithkujt, pastaj si gazetar apo opinionist. Me Tefik Osmanin kam pasur një përplasje mediatike për shkak se drejtori bardheblu i futi të gjithë gazetarët në një thes, duke i quajtur të gjithë të korruptuar.

Kjo nuk është e vërtetë, sepse në mesin tonë ka shumë të ndershëm, që punojnë në shi dhe diell për një rrogë minimale prej 400 mijë lekësh të vjetra, hera-herës edhe pa siguracione. Këta gazetarë nuk pranojnë asnjë kafe nga presidentët, sepse e kanë të shenjtë profesionin, paanësinë. A ka dhe nga ata që bëjnë qoka mes nesh? Patjetër, por janë të paktë.

Me siguri, publiku sportiv i kupton qartë, sepse ndërrojnë mendime e qëndrime si kameleonë. Fatmirësisht, janë të paktë. Në “debatin” me Tefikun nuk u mora me asnjë gjë personale të tij, as me nderet që i kam bërë apo më ka bërë, as mos më ka ngel hatri , por thjesht na barazoi si gazetarë. I kërkova drejtorit të Tiranës: thjeshtë thuaj emrat që i morën lekët Refikut, emrat e menaxherëve apo gazetarëve që i bënte tapë në Korçë. Kaq, asgjë tjetër.

Ky është “faji” im i vetëm o SKËNDERBETXHI halldup, dallkauk, trukues e llafazan i pacipë. U përpoqa të isha në anën e pjesës së shëndoshë të gazetarëve sportivë, të cilët bëjnë shumë për imazhin e futbollit tonë, duke pasqyruar përditë edhe punën e Osmanit e kolegëve të tij me profesionalizëm. Nuk kemi nevojë për “gjyqtar” në raportin tonë, qoftë njerëzor, qoftë profesional. Aq më tepër të atyre që kanë trukuar futbollin e një qyteti të tërë, madje të krejt kampionatit shqiptar, të cilit ia morën frymën për disa vite, derisa UEFA iu tregoi vendin.

Ndoshta, me drejtësinë e re, duhet të japin llogari edhe brenda vendit. Nëse FSHF i amnistoi, duke mos marrë asnjë masë, në raport të drejtë me UEFA-n, mbase SPAK do t’i qëmtojë më mirë akuzat që kanë mbi supe, qoftë edhe ato të artikuluara nga UEFA. Mjafton një denoncim atje, çka vështirë se do të mungojë…

Por nëse bëhet një ngacmim, do thotë Osmani, ja këta që fundosën Skënderbetin, të futën në burg edhe ty. Aq më keq që nuk kuptojnë e cënojnë dhe personalitetin e A. Takes, i cili di të ruajë marrëdhëniet me të gjithë aktorët e futbollit. Unë nuk sulmoj askënd, përpiqem të bëj punën time në gazetari me modesti, profesionalizëm e përkushtim, nuk kam pas asnjë gjë personale e s’do të kem me Tefikun.

Natyrisht, drejtori i Tiranës edhe herë të tjera mund të jetë objekt i shkrimeve të mia, inshAllah për mirë. Nuk përpiqem t’i ndryshoj mendjen Osmanit, sepse me thënë të vërtetën as i kam borxh, e as më mungon, as m’i zbukuron shkrimet e mia. Edhe kur e kam përballë e shikoj në sy, teksa ai nuk e bën dot këtë dhe mirë bën!

Osman, shikoje dokumentarin BAD SPORT të Netflix, mbyllej kështu: ESHTË KOHA E MASKARANEJËVE, por edhe ata një ditë do të bien në rrjetën e drejtësisë sportive, apo do të kujtohen si objekt i historisë më të turpshme të futbollit. Dakord SKËNDERBETIST?! Shikoje Tefik, ta kuptosh edhe atë halldupin, që edhe tek unë nuk ka lënë gjë pa thënë për ty!