Pritej që dita e parë e kësaj jave të shoqërohej me emërimet e reja tek Klubi i Futbollit Vllaznia por në fakt duket se nuk do të ndodhë kështu.

Drejtori i ri sportiv dhe trajneri i ri janë ende dy pozicione pa emra të zgjedhur dhe kjo duket se ka ardhur nga mungesa e një mbledhje në mes administratorit Lici dhe Këshillit Mbikëqyrës të klubit.

Të paktën këtë gjë ka deklaruar dhe vetë kryebashkiakja Voltana Ademi. E pranishme në një aktivitet tjetër sportiv pasditen e së dielës në Velipojë, ajo është pyetur se kur do të fillojë puna tek Vllaznia dhe ajo ka dhënë këtë përgjigje:

“Mendoj se këtë pyetje duhet t’ia drejtoni stafit teknik dhe Këshillit Mbikëqyres, nga ku pres të vijojnë me shpejtësi pjesën e organizimit.”

Në mungesë të zgjedhjes së këtyre dy drejtuesve të rinj, skuadra shkodrane ende nuk mund të nisë punë.

Duket se është thjesht çështje orësh miratimi dhe emërimi i tyre por gjithsesi ditët dhe orët kalojnë.

Shpresat janë që çdo gjë të marrë zgjidhje shumë shpejt dhe të gjithë ato që do të jenë pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri, të nisin punën për rikthimin e skuadrës aty ku i takon.

www.shkodrasport.com