Shkodra mban frymën. Vllaznia do të luajë të premten kundër Partizanit, ndeshje e vlefshme për javën e shtatë të Superiores. Një sfidë që pritet të prodhojë emocione të forta, falë edhe publikut të mrekullueshëm shkodran.

Stadiumi “Loro Boriçi” do të jetë i mbushur dhe para kësaj sfide, përgatitjet në kampin e Vllaznisë janë intensive. Sot, kuqeblutë kanë zhvilluar seancën e radhës stërvitore. Optimizmi është ulur këmbëkryq dhe përmes një postimi në kanalin zyrtar, klubi shkodran karikon në maksimum lojtarët e vet.

“Ekipi i Vllaznisë ka zhvilluar sot seancën e parafundit stërvitore në pragndeshjen me Partizanin. Në rradhët e futbollistëve dhe stafit teknik ka optimizëm për kalimin me sukses të këtij kundërshtari”, shkruhet në faqen zyrtare të klubit të Vllaznisë.

Ndeshja Vllaznia – Partizani është programuar të luhet të premten në orën 17:45, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës./newsport/