Dritan Mehmeti, trajneri i Partizanit, deklaroi se ishte i kënaqur me fitoren e skuadrës së tij, por kishte disa kritika për përgjumjen në startin e sfidës. Tekniku i të kuqve, duke folur në “SuperSport”, tha se ekipi ishte i përqendruar në të dy turnetë, për të arritur Europën në një rrugë apo në një tjetër.

“Mendoj qe fillimisht dua te përgëzoj lojtarët për karakterin dhe për shpirtin e garës, por jam pjesërisht i pakënaqur për mënyrën se si e filluam edhe pse kemi punuar që në aspektin psikologjik të jemi në ritmin e duhur. Më vjen keq se kemi pësuar në goditjet standarte ku duhej të ishim më të përqendruar dhe të vendosur mirë.

Thuajse gjatë gjithë kohës kam qenë i përqendruar që t’i injektoj skuadrës mentalitetin e duhur, kemi qenë në garë në kampionatin dhe mbajmë ritmin edhe në Kupë. Partizani duhet të respektojë veten se siç e shohim jemi afruar shumë e duhet të luftojmë deri në fund në të dy aspektet.

Hasim vështirësi me skuadra shtatlarta. Duke pasur parasysh cilësitë e markut, u mundova që Grudën ta markoja me Markun. E nisi keq ndeshjen por e përmirësoi goxha dhe jam shumë i kënaqur se si e vazhdoi lojën në pjesën e dytë e ktheva në vendin e tij dhe i dhashë më shumë detyra Sotës.

Mendoj se sa i përket Bitrit, është një lojtar i Partizanit dhe është kthyer në shtëpi. I dimë cilësitë e tij, më vjen mirë se në fillim nuk ishte ku duhet. Sa i përket Skukës, është një lojtar i fituar dhe jam gjithmonë kërkues ndaj tij. Por duhet që vetëm jo te pjesa e golit, por si sinkronizohet duhet të jetë më impenjativ. Mos ta harrojmë që vjen nga Kategoria e Parë dhe ritmi i Superiores është më i lartë dhe unë i kuptoj disa situata kur ai bie fizikisht.

Barazimi i Vllaznisë? Jam shumë i interesuar më shumë te skuadra ime dhe isha përqenduar aty. Fitorja e sotme jep entuziazëm, djepi i futbollit shqiptar dhe me histori si skuadra e Vllaznisë besoj se do të jetë një histori tjetër me Vllazninë. Duhet të jemi të ekuilibruar dhe të kujdesshëm. Kur kundërshtari e meriton, ata edhe të duartrokasin, mendoj se shkojmë si të barabartë”, tha Mehmeti.