Merkatoja e Partizanit është shumë dinamike dhe çdo lëvizje, pasohet nga një lëvizje tjetër. “Demat” vendosën të largojnë Egzon Belicën, një lider në mbrojtje në katër sezonet e fundit.Tashmë në skuadër janë tre qendërmbrojtës tipikë, por përveç Bitrit, as Menish dhe as Sota nuk shihen të kenë potencialin për të mbajtur presionin e gjithë sezonit. Sllovaku nga i cili pritej shumë, e nisi me një gafë që në javën e parë, teksa Sota nuk ka mundur ta fitojë asnjëherë besimin e drejtuesve.

Nisur nga gjithë këto, Partizani prej javësh po lëviz për të firmosur me Marcelino Prekën. 19-vjeçari është pjesë e Bylisit dhe ka kontratë afatgjatë me klubin ballshiot, që e lë të lirë vetëm në rast se Partizani paguan për t’i blerë kartonin.

SHIFRA – Të kuqtë e kanë pëlqyer Prekën dhe u ka rënë shumë në sy në miqësoren e zhvilluar mes skuadrave në Pogradec, ku janë bindur për të investuar për mbrojtësin nga Shkodra.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht nga burime pranë klubit se palët janë shumë pranë një marrëveshjeje finale për shumën e 60 mijë eurove. Presidenti Kapllanaj është bindur nga kjo shifër, teksa synon të mbajë edhe një përqindje minimale kartoni të lojtarit në rast rishitjeje.

Gazeta mëson gjithashtu se marrëveshja me lojtarin është tërësisht e mbyllur dhe pritet vetëm akordi mes dy klubeve. Zgjatja e bisedimeve ka të bëjë edhe faktin se Bylisi kërkon lojtarë nga Partizani në huazim.

Prej ditësh është diskutuar huazimi i Aldo Teqjes, por ka shumë dyshime nëse portieri do të pranojë. Në rast se operacioni mbyllet me sukses, Preka do të ishte blerja e dytë e Partizanit për këtë sezon.

Ditë më parë “demat” kanë investuar 50 milionë lekë të vjetër për të marrë Mensahun nga Skënderbeu. Për të dy, të kuqtë shpresojnë t’i shesin dhe të shumëfishojnë paratë që po derdhin për t’i blerë.