Vllaznia ka reaguar shpejt pas turpërimit javën e shkuar nga Egnatia, me të cilën humbi thellë 3-0. Shkodranët kanë bërë detyrën mbrëmjen e somte, ku në “Loro Boriçi” kanë mposhtur Kastriotin me rezultatin minimal 1-0. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “TI BO GOL” në “Oversport”.

Josa (Vllaznia): “Patëm fatin që të zhbllokonim rezultatin shumë shpejt. Kjo falë aftësive tona. Jami i kënaqur për këtë ndeshje, sepse është një skuadër që mbrohet mirë. Gjë që ne nuk e kemi treguar në ndeshjet e tjera. Kemi pësuar shumë gola. Sot pashë një skuadër më të përqendruar. Duhet të punonim mirë në daljet përpara.

Kur ke përpara një skuadër si Kastroti, që e ka treguar veten, që donte të shënonte duhet të ishim treguar më të vëmëndshëm në pasin e fundit. E rëndësishme ishte që skuadra të kthehej te fitorja.

Jo se unë nënvlerësoj humbjen me Egnatian, por mënyra se si ata fituan ishte një hap mbrapa.

Lojtarët e mi duhet të japin shumë më tepër rëndësi qoftë vlerave të kundërshtarit, qoftë aftësive të tyre. Ne sot shfaqëm disa probleme, sidomos në mesin e fushës. Nga Jonuzi më tepër. Problemi është te mentaliteti që kemi ne për mënyrën se si do të mbrojmë dhe për mënyrën se si do të sulmojmë”.