Nëse flasim për futbollin shkodran në vite, kuptohet që periudha më e bukur e tij, ka qenë ajo e viteve 1970-1980, ku pjesë e Vllaznisë kanë qenë emra, të cilët kanë lënë gjurmë jo vetëm në historinë e këtij klubi, por edhe të futbollit shqiptar.

Njëri prej tyre padyshim që është edhe ish-futbollisti, Roland Luçi. Profesor Luçi ka lindur me 24 shkurt 1960, teksa sot është në moshën 62-vjeçare dhe në rininë e tij, zgjodhi të merret me futboll. Pa mbushur ende 18-vjeç kalon me ekipin e parë të Vllaznisë dhe si rrjedhojë, ka qenë pjesë e tij, kur do të shpallej kampion atë vit.

Megjithatë, ka një moment interesant, që i ka lënë një shije të hidhur atij. Në foton e ekipit, mungojnë, ndër ta edhe Roland Luçi. Një gjë e tillë ndodhi kështu, sepse nuk kishte uniforma të mjaftueshme për të gjithë, teksa mungonin bluzat.

Luçi do të vazhdonte të ishte pjesë e kësaj skuadre edhe në vitet e ardhshme, por me jo pak peripeci, edhe pse ai do të vazhdonte të shkëlqente në fushën e lojës dhe madje do të kapte edhe ekipin e Kombëtares së Shqipërisë. Ai luajti në pesë ndeshje për ekipin e Kombëtares së Shqipërisë nga 1981 deri në 1982. Njëkohësisht, do të ishte një futbollist, nga të paktit ndoshta intelektual i mirëfilltë.

Në mars të vitit 1983, e përjashtojnë përgjithmonë nga futbolli, teksa ishte 23-vjeç në atë kohë dhe një gjë e tillë ndodhi kështu, sepse guxoi të kundërshtojë shefin politik të sportit shqiptar të kohës. Megjithatë, e “falën” pas një viti, por ndërkohë karriera e Kombëtares ishte mbyllur për të. Poashtu, nuk e lejuan as të ishte në foton festive të ekipit kampion të Shqipërisë atë vit, Vllaznisë tonë, edhe pse kishte shënuar mjaft gola atë vit për të.

Profesor Luçi vazhdonte të luante dhe të shënonte gola, por edhe dnonte gola, por edhe dënimet do t’i vinin gjithnjë pas. Në korrik të vitit 1986, e përjashtojnë përgjithmonë nga futbolli. Luçin e dërgojnë me punë mësues në Pult të Dukagjinit, por e falën sërish pas 5-muajsh.

Zhgënjimet e Luçit vazhduan edhe më tej. Në finalen e Kupës së Shqipërisë në qershor të vitit 1987, dëmtoi rëndë gjurin dhe këtu mori fund përfundimisht karriera e tij, pa marrë dot pjesë as në ceremonitë festive të fitores së këtij trofeu, pas fitores me Flamurtarin.

Megjithatë, pavarësisht këtyre sukseseve dhe ndëshkimeve, Roland Luçit pas lënies së futbollit, i është dhënë titulli “Mjeshtër Sporti” dhe madje iu organizua edhe një ceremoni shumë e veçantë e lënies së futbollit.

Ndërkohë pas viteve 1990, Luçi është larguar drejt Austrisë, vend ku vazhdon të jetojë edhe sot e kësaj dite. Ndërkohë, për disa kohë në sezonin e vitit 2009, nga 4 tetori deri më 22 dhjetor, ka qenë edhe trajner i ekipit të Vllaznisë.

Ndërkohë, vitin e kaluar, Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, i ka akorduar çmimin “Mjeshtër i Madh” Luçit për meritat e tij në futboll, si pjesëtar i denjë i Vllaznisë, por edhe i Kombëtares së Shqipërisë. Jetë të gjatë profesor Roland Luçi!
Maringlen ZHIVANI