Nga gjashtë boksierët me të cilët Shqipëria po përfaqësohet në edicionin e rradhës të “Gongut të Artë” që po zhvillohet në Shkup të Maqedonisë, pesë prej tyre kanë siguruar të drejtën për të qenë në finalet e ditës së nesërme. Dhe ajo çfarë është më interesantja, tre prej tyre janë pjestarë të ekipit të Vllaznisë të cilët e fituan këtë të drejtë pas takimeve të fituar ditën e sotme në gjysmëfinale.

Kështu, Krenar Zeneli ka fituar përballë një boksieri maqedona dhe nesër në finale do të ketë përballë një boksier nga Kroacia. Arjon Kajoshi ka fituar sot ndaj një boksieri kosovar dhe nesër në finale do ketë një boksier nga Serbia ndërsa Bekim Vjerdha sot ka mundur një boksier serb dhe nesër në finale do të ketë një tjetër serb. Sakaq, dy boksierët e tjerë të kombëtares tonë, Ardit Murja dhe Indrit Sokoli e fituan të drejtën për në finale me short. Nga pesë boksierët shqiptarë, besimi është që të paktën tre prej tyre nesër të shpallen fitues të medaljeve të artë në “Gongun e Artë” të Maqedonisë.
© shkodrasport.com