Pogradeci i Samuel Nikajt ka marrë një fitore tepër të thellë dhe me shumë vlerë në ndeshjen e luajtur pasditën e sotme në shtëpi ndaj Tepelenës me rezultatin 9-0. Tre gola që në pjesën e parë dhe gjashtë të tjerë në pjesën e dytë bënë që ekipi i drejtuar nga trajneri shkodran të rregjistrojë një fitore tenistike.

Realisht, takimi i sotshëm ka qenë i një shkalle të lehtë vështirësie për liqenorët, sepse Pogradeci luante me Tepelenën e vendit të fundit dhe padyshim që për ekipin e trajnerit Samuel Nikaj ishte “detyrë shtëpie” me çdo kusht fitorja.

Në fund të ndeshjes u fiksua rezultati i thellë 9-0 për Pogradecin, e cila ngjitet sërish në vendin e parë të renditjes pas javës së 10-të të kampionatit me 26-pikë, aq sa rivalja e saj kryesore Elbasani që ka aktualisht edhe ajo 26-pikë.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Nikaj ka synim ngjitjen në Kategorinë e Parë dhe deri tani po bën shumë mirë, teksa në 10-ndeshjet e luajtura ende nuk e njeh shijen e humbjes, ku ka marrë tetë fitore dhe vetëm dy barazime. Këto janë shifrat magjike që ka arritur trajneri shkodran Samuel Nikaj me të marrë drejtimin e Pogradecit.

Realisht, kanë mjaftuar shumë pak javë kampionat për të nxjerrë në pah vlerat e trajnerit shkodran Samuel Nikaj. Me punën e tij këmbëngulëse dhe profesionale, ai arriti shumë shpejt ta shndërrojë Pogradecin një skuadër pretendente për vendin e parë dhe ngjitjen në Kategorinë e Parë.

29-gola të shënuar dhe vetëm pesë të pësuar janë shifra që do t’i kishte lakmi çdo trajner tjetër, për më tepër që ka grumbulluar 26-pikë deri më tani. Ekipi i Samuel Nikajt, së bashku edhe me Elbasanin, janë të vetmet skuadra pa humbje në Grupin B të Kategorisë së Dytë. Ndërkohë, ndeshjen e rradhës Pogradeci do ta luajë ndaj Luftëtarit në transfertë, një përballje e vështirë kjo.
Maringlen ZHIVANI