Agron Çela do të udhëtojë sot në drejtim të Korçës për të ndjekur Vllazninë si president i klubit. Ai rikthehet në këtë post pas 7 vitesh dhe kërkon që në këtë ndeshje skuadra shkodrane të arrijë një rezultat pozitiv. Çela duket mjaft optimist, ndërsa në deklaratën e tij thekson se ekipit nuk do t’i mungojë shpërblimi në rast të një rezultati pozitiv. “Kam takuar lojtarët dhe stafin teknik të skuadrës para nisjes për në Korçë dhe u urova udhë të mbarë dhe një start të suksesshëm në këtë fillim të përbashkët.
Nuk e di por, pavarësisht se bëhet fjalë për një takim tejet të vështirë për ne, mund t’ju them se jam optimist dhe i bindur se do të marrim pikë në Korçë. Lojtarëve do t’u ofroj premio për një rezultat pozitiv, por kam dëshirë që vlerën e saj ta mbaj surprizë. Para nisjes nuk ua kam thënë një gjë të tillë futbollistëve, por do t’ua them para fillimit të takimit, kur edhe do t’i takoj. Nuk më mbetet që tjetër, veçse t’i uroj ekipit një rrugë të mbarë së bashku dhe në këtë sezon, për të realizuar ato objektiva që i kemi vënë vetes”, – u shpreh Çela. Ky i fundit, edhe përpara se të merrte drejtimin e klubit, ka theksuar me bindje se do ta çojë Vllazninë në Kupat e Europës. Rruga tashmë nis nga Korça dhe një rezultat pozitiv në këtë transfertë pritet të ndikojë jo pak për vazhdimësinë e ekipit. Një javë më pas Vllaznia pret Kukësin në “Loro Boriçi”.
Admir URUÇI