Paraqitja dinjitoze e Vllaznisë së femrave në përballjen ndaj Realit të Madridit në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të UEFA Champions League, ka emocionuar jo pak edhe presidentin e ekipit shkodran të meshkujve, Alban Xhaferi. Ai ka qenë i pranishëm, duke e ndjekur live ndeshjen nga tribuna VIP e stadiumit “Loro Boriçi”.

Në një status në Facebook, presidenti shkodran ka përcjellur vlerësimet maksimale për ekipin kuqeblu dhe ndeshjen e treguar ndaj një marke të madhe të futbollit, siç është Real Madrid. Xhaferi u shpreh se një arritje e tillë është shumë historike për Shkodrën, ndërsa theksoi se vajzat e Vllaznisë po i bëjnë krenar të gjithë në rrugëtimin madhështor të tyre.

“Historike per futbollin tonë!

U luajt per here te pare himni i Champions League në fazen e grupeve ne mitikun e futbollit Shqiptarë, Loro Boriçi.

Vajzat tona po na bëjnë krenar të gjithëve, në këtë rrugëtim madhështore.

Le ti urojme suksese vajzave tona ne këto sfida fantastike dhe të besojmë dhe punojmë fort qe ky model suksesi në një të ardhme të afërt ta kemi edhe për Vllazninë e djemve”,-mbylli postimin e tij në Facebook, presidenti i Vllaznisë së meshkujve, Alban Xhaferi.
Maringlen ZHIVANI