Janari është shumë afër dhe ekipet kanë nisur kërkimet për merkaton e dimrit.

Teksa klubet e tjera janë duke vëzhguar talentet, Real Madrid është një hap përpara. Siç raporton Marca, “Los Blancos” kanë bërë nënshkrimin e parë me trajner Santiago Solari. Ai është mesfushori i River Plate, Exequiel Palacios i cili ka nënshkruar një kontratë pesë vjet e gjysmë që fillon nga janari i vitit 2019.

20-vjeçari ka qenë nën radarët e Paris Saint-Germain dhe Manchester City, por Real Madrid është treguar më “i shkathët” duke i paguar edhe klauzolën e lirimit prej 20 milionë eurosh.

“Galaktikët” kanë qenë prej kohësh duke vëzhguar Palacion, por operacionin e kryer nga madrilenët për të marrë argjentinasin, presidenti i River Plate Rodolfo D’Onofrio e ka cilësuar si të “pandershëm” dhe “pa respekt”.

Sipas raportimeve të fundit, Solari është gati për të bërë një lëvizje edhe për yllin e Manchester United Alexis Sánchez në merkaton e janarit.