Reali bën atë që di të bëjë më mirë, të fitojë një finale. Këtë herë skuadra e Carlo Ancelottit është shpallur kampion i Kupës së Mbretit të cilën kishit mundësi ta ndiqni live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo. Galaktikët mposhtin në finalen e madhe Osasunën me rezultatin 2-1, ku heroi i ndeshjes është braziliani Rodrygo me një dygolësh. Ndërkohë që për surprizën e këtij kompeticioni, Osasunën, vendosi provizorisht baraspeshën Torro.

Ndeshja nis menjëherë me emocion, pasi Realit i duhen vetëm 2 minuta për të gjetur rrugën e rrjetës. Vinicius Junior lëviz mirë nga e majta dhe fut një top në qendër ku i lirë ndodhet Rodrygo. Ky i fundit godet dhe arrin të çojë topin në rrjetë për t’i dhënë avantazhin madrilenëve.

Osasuna përpiqet të reagojë me Ante Budimir, që godet me kokë, por topin nuk shkon në rrjetë. Një shans të artë ka edhe Ezzalzouli që i vetëm përballë portierit, mposht Courtois, por jo Carvajal që largon topin në vijën fatale. Nga ana tjetër, mundësi të mira ka edhe për Benzema, Alaba e Vinicius Junior që megjithatë s’arrijnë dot të dyfishojnë shifrat.

Me avantazhin minimal të Realit mbyllet pjesa e parë, ndërsa fraksioni i dytë, nis me Osasunën që rikthehet në lojë dhe jep shkëndijat e një tjetër surprize. Një goditje nga limitet e zonës nga Lucas Torro, mposht gardianin e portës së Realit dhe vendos baraspeshën.

Një avantazh megjithat, që zgjat shumë pak, pasi është sërish Rodrygo që kalon në avantazh Realin. Sulmuesi brazilian përfiton nga një devijim në zonë dhe për të çuar topin në rrjetë e ka një lojë fëmijësh. Minutat e mbetura, prodhojnë disa raste, por Reali arrin të menaxhojë gjithçka në mënyrë perfekte për të mbyllur sfidën në avantazhin e vetë.

Kështu, ndeshja përfundon 2-1 dhe Reali fiton Kupën e Mbretit për herë të 20-të në historinë e saj. Nga ana tjetër përfundon në finale ëndrra e Osasunës për të fituar trofeun e parë të rëndësishëm në histori. /oversport.tv

Foto: Real Madrid C.F. Twitter