Presidenti i Tiranës Refik Halili deklaroi për herë të parë se rrezikohet që terreni i kompleksit “Selman Stërmasit” të shfrytëzohet për ndërtim pallati nga pronarët e ndryshëm të truallit.

Në studion e emisionit “Proçesi Sportiv” në “Top Channel”, kreu i kampionëve në fuqi të Shqipërisë tregoi se një pronar i truallit te stadiumi “Selman Stërmasi” bisedoi me të për ndërtimin e një pallati në terrenin ku luajnë kampionët e Shqipërisë. Ai ngriti shqetësimin që ky terren sportiv i klubit bardheblu të mos prishet, por të përmirësohet në të ardhmen.

“Terrenet sportive këtu tek ne po zhduken. Duhet të pasur kudjes që nëpërmjet jush të na ndihmojnë të ruajmë këto që kanë mbetur. Se kam dëgjuar te kompleksi jonë, po flasim për ‘Selman Stërmasin’, më tha dikush dje se po i ndiqte hap pas hapi, se aty ka dhe pronarë trualli në të gjithë atë sipërfaqe. Është e vetmja që ka mbetur.

Dëgjova dje një pronar nga Kanadaja, më tha: ‘Ridi, si ka mundësi se më kanë marrë për ndërtim pallati dhe ne nxjerrim lejen para zgjedhjeve’. Përfitoj nga rasti që duhet ta ngremë të gjithë zërin dhe nuk duhet të lejojmë që ato ambjente sportive të mos na i ngacmojë kush.

Unë shpresoj që ajo të ngelet fushë, por jo si ka qenë 30 vite. Në një emision shumë të afërt do t’ju sjell dokumentat. E rëndësishme është që sipër të mbetet sport, mund ta zhvillosh poshtë, ta bësh diçka dhe sipër, të bëhet më shumë se fusha që ka sot, të shtohen dhe fusha të tjera. Shpresoj që mos të ndryshojë”, deklaroi presidenti i Tiranës Refik Halili.