Vllaznia luan të di elën një transfertë delikate në Laç, pikërisht aty ku nisi këtë kampionat me një fitore spektakolare, 3-5. Trajneri Tomas Brdariç i bën llogaritë për këtë takim me dy mungesa të sigurta, pikërisht mbrojtësin Mevlan Adili për shkak kartonësh dhe sulmuesin Ardit Hoxhaj për shkak dëmtimi.

Mirëpo, rikthimet janë shumë të rëndësishme dhe bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Fallou Dianje, si dhe fantazistin brazilian, Viktor da Silva. Në përgatitjet për antiLaçin, Brdariç ka nisur të provojë formacionin që do të hedhë në fushë të dielën.

Nga ajo që është vënë re në seancat e zhvilluara në fushën “Reshit Rusi”, janë të paktën tri lëvizje që Brdariç po projekton. Nga mbrojtja në sulm, Vllaznia pritet të jetë ndryshe në Laç, gjithnjë duke e krahasuar me skuadrën që luajti kundër Kastriotit.

NDRYSHIMET

Me Zogoviçin të paprekshëm, mbrojtja do të pësojë vetëm një ndryshim. Në vend të Adilit të pezulluar do të luajë Dianje në qendër, në krah të malazezit Bulatoviç.

Ndërsa pjesa tjetër rikonfirmohet me Gurishtën në të djathtë dhe Hakajn në të majtë. Ndaj Kastriotit Brdariç luajti me tre mesfushorë tipikë përpara mbrojtjes, pikërisht Krymin, Jonuzin dhe Heriçin. Ky i fundit pritet të ulet në stol tashmë dhe për një vend do të luftojnë Kruja dhe Mustedanagiç.

Mirëpo, në Laç skema pritet të ndryshojë, duke u bërë 4-2-3-1, teksa boshnjaku ka më shumë shanse për të qenë titullar. Sulmi ndryshon dhe vetëm Latifi nuk preket, pasi Gjurgjeviç ulet në stol dhe në majë të ofensivës do të vendoset Aralica. Kroati do të mbështetet nga Latifi dhe Da Silva.

Skema 4-2-3-1 mund të përkthehet edhe si 4-3-3. Nuk përjashtohet mundësia që Brdariç të bëjë edhe një tjetër lëvizje për këtë takim.

Një mundësi është aktivizimi i Krujës në krahun e djathtë të sulmit dhe spostimi i Da Silvës pas sulmuesit, duke ulur në stol boshnjakun Mustedanagiç. Gjithsesi, Brdariç ka edhe dy ditë kohë për të fiksuar titullarët.

STËRVITJA

Me përjashtim të Ardit Hoxhajt, që është i dëmtuar, e gjithë pjesa tjetër e skuadrës ka qenë e plotë në seancën e djeshme.

Tashmë trajneri gjerman është i qetë, pasi me vendosjen e tapetit të ri në “Reshit Rusi”, po punon edhe më shumë faktikisht me skuadrën, duke pasur kushtet e duhura për të provuar vendosjen e ekipit në fushë. Këtë bëri edhe dje, teksa të gjithë lojtarët shfaqën formë të mirë.