Ronaldo Fenomeni është rikthyer te Cruzeiro, klubin brazilian që e promovoi në futboll. Këtë herë ish-sulmuesi nuk do duhet të shënojë gola, por të drejtojë skuadrën si pronar. 45 vjeçari tanimë zotëron pjesën më të madhe të aksioneve në klubin e ligës së dytë braziliane, me qëllimin për t’u ngjitur në elitë.

62 milionë euro ka shpenzuar legjenda braziliane për të bërë të vetën 90 përqind të aksioneve, pas kalimit të klubit në shoqëri aksionere. Me kompaninë e tij Tara Sport, Ronaldo zotëron edhe klubin e Valladolid në Spanjë, teksa shprehet I lumtur për investimin në klubin që në vegjëli I dha dorën.

“Jam i lumtur që e kam përfunduar këtë operacion. Dua ta kthej Cruzeiron atje ku e meriton të jetë. Ne kemi një punë të madhe përpara, për ta rikthyer klubin në majë”, tha Ronaldo.

“Ne jemi klubi që zbuloi Ronaldon para botës, tani është Ronaldo ai që po na hap dyert e botës. Kemi punuar prej shumë kohësh për ta arritur këtë marrëveshje”, tha presidenti aktual, Sergio Santos Rodrigues./newsport/