Elseid Hysaj duket se tashmë ka bindur edhe Karlo Ançelotin për cilësitë e tij. Mbrojtësi i cili në këtë sezon me ardhjen në krye të Ançeloti e ka provuar jo pak herë shijen e stolit, megjithatë në ndeshjet e fundit, Hysaj është rikthyer të shfaqë versionin e tij më të mirë.

Shkodrani ka rifituar sërish vendin e titullarit në skuadër, ndërkohë që është i vlerësuar edhe për arsyen se 25-vjeçari mund të aktivizohet pa problem në të dyja krahët e mbrojtjes.

Në këtë mënyrë zërat se Hysaj do të largohej nga Napoli po dëgjohen gjithnjë e më pak, teksa tashmë kanë filluar negociatat për rinovimin e kontratës. Së shpejti pritet një takim i agjentit të futbollistit me presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentis për të diskutuar më në hollësi detajet e marrëveshjes.

Nga rinovimi, shkodrani do të kërkojë edhe një rritje të rrogës, teksa shifra e vendosur në tavolinë nga menaxheri lojtarit është 3 milionë euro.

Ndërkohë që, napoletanët afrojnë deri në 2.5 milionë euro, megjithatë palët janë afër konsensusit, me Hysajn që do të konfirmonte cilësitë e tij dhe mund të rritej më shumë profesionalisht nën drejtimin e një trajneri si Karlo Ançeloti. /VipSport/