Shqipëria luajti mbrëmë kundër Andorrës në transfertë, ndeshje që përfundoi me rezultatin 1-0 në favorin e kuqezinjve tanë. Edhe pse 3 pikët u morën, loja ishte ajo që la për të dëshiruar. Shumë qarkullim topi, por gabime në 30 metrat e fundit duke mos rrezikuar seriozisht kundërshtarin.

Për këtë ka folur Rudi Vata, i cili kritikoi modulin e lojës që përdor trajneri Edi Reja. Sipas tij, tekniku i kuqezinjve nuk e njeh futbollin modern dhe vijon t’i besojë skemave të përdorura shumë vite më parë. Ai kritikoi edhe lënien në stol të Uzunit dhe Brojës, dy sulmuesve më në formë të kombëtares shqiptare.

“Ne kishim përballë një kundërshtar amator. Nuk na lejoi t’i shkonim te porta për shkak se agresivitetit të tyre. Por, në këto raste kur ke cilësinë është trajneri ai që ndërton skemat në bazë të kundërshtarit që ka përballë. Ne kemi në skuadër lojtarë që luajnë në ekipe të mëdha me futboll modern. Si mund të lësh në stol Uzunin dhe Brojën, dy sulmuesit më në formë të momentit?

Trajneri Reja është me të vjetrën. S’e njeh futbollin modern, nuk i njeh manovrat që përdoren në ditët e sotme. Së bashku me atë që e solli, unë mendoj se duhet të marrin valixhet dhe të largohen. Të dy njohin vetëm futbollin e vjetër dhe jo këtë që luhet në gjithë botën.

Nëse vijohet kështu, edhe 40 vite do kujtojmë De Biasin. Ndaj së bashku me atë që e ka sjellë duhet të largohen nga Kombëtarja shqiptare për t’i lënë vendin atyre me vizion“, përfundoi ish-lojtari i Kombëtares në një lidhje direkte me emisionin “Ëndërr kuqezi”.