Eliminimi nga Bajerni i Mynihut në fazën e 1/8-ave të Championsit duket se ka sjellë një tjetër dështim në investimet e shumta që ka bërë PSG.
Njëra prej këtyre investimeve ishte dhe kontrata e re që i ofruan Kilië Mbapesë, i cili refuzoi Realin e Madridit për të qëndruar te kampionët e Francës.
Por duket se as kjo gjë nuk shërbeu për të sjellë trofeun e Champions-it në kullën “Eiffel” dhe për këtë gjë Mbape mund të mendojë dhe njëherë një kalim të mundshëm te Reali.
Këtë gjë e ka shprehur haptazi edhe legjenda angleze, Xheimi Karager, i cili ka këshilluar francezin që të largohet sa më shpejt nga PSG-ja.
“Kilië Mbape duhet të largohet nga PSG. Unë vërtet e mendoj këtë. Ata nuk janë asgjëkund për të fituar Ligën e Kampionëve. Mendoj se ai nuk do të përmirësohet duke qëndruar te ajo skuadër sezonin tjetër dhe sa më shpejt që të shkojë te Reali i Madridit aq më mirë do të jetë për të”, u shpreh ish-mbrojtësi për CBS.