Safet Gjici nuk e ka përtypur dot humbjen në Shkodër. Presidenti i Kukësit, në bisedën për “Panorama Sport” menjëherë pas ndeshjes së djeshme, pasi ka uruar Tiranën për titullin, ka paralajmëruar masa ndaj skuadrës pas këtij dështimi. Kukësi e mbyll pa trofe këtë sezon, pasi pak ditë më parë u eliminua edhe nga Kupa e Shqipërisë.

“Nuk ishte loja që prisja në këtë takim ndaj Vllaznisë. Duke ditur edhe mungesat që kishte ekipi shkodran, prisja shumë më tepër nga Kukësi. Natyrisht që prisja një fitore, që të ishim sërish në lojë për titull. Megjithatë, unë i uroj suksese ekipit të Tiranës për fitimin e titullit”, është shprehur fillimisht Gjici, për të folur më pas rreth asaj që pritet të ndodhë në klubin verilindor.

“Do të ndalem gjatë për sa i përket asaj që ndodhi në këtë sezon te Kukësi. Ne do të analizojmë këtë sezon me qetësi për sa i përket çdo gjëje. Nuk dua të flas vetëm për trajnerin aktual. Nuk është faji i një trajneri, pra pikërisht i këtij aktual, por i të gjithë atyre që drejtuan skuadrën gjatë këtij sezoni.

Tashmë s’dua të ndalem tani tek emrat konkretë. Çdo gjë do ta shikojmë me qetësi në ditët e ardhshme. E përsëris, jam shumë i zhgënjyer me këtë paraqitje të skuadrës, pasi prisja fitore dhe të vazhdonim deri në fund luftën për titull”, përfundoi presidenti.