Dritan Shakohoxha ka folur në emisionin “Favoriti i Botërorit” në Televizionin T7 për Kampionatin Botëror, ndeshjen Zvicër-Serbi dhe Xhakën e Shaqirin.

Shakohoxha tha se pret që në finale të kualifikohen Portugalia dhe Argjentina. “Më duket si gjithmonë. Nuk e ka atmosferën e botërorëve tjerë.

Po të kishte qenë verë do të kishte qenë edhe më bukur. Mendoj se Portugalia dhe Argjentina do të takohen në finale.Unë bëj tifo për Ronaldon dhe për Messin. Besoj se I Plotëfuqishmi do ta mundësojë që o njëri o tjetri ta fitojë Botërorin”, tha ai.

Ai foli edhe për ndeshjen Zvicër-Serbi, ku helvetikët shënuan fitore 3:2, shkruan Gazeta Express. “Këta janë serbët. Për fatin e tyre të keq kanë dalë të shëmtuar në sy të botës. Çdo gjë për shqiptarët në atë ndeshje ishte e bukur. Një pjesë e futbollistëve serbë nuk janë si tifozët e tyre”, tha Shakohoxha.

Tutje, ai foli edhe për dy futbollistët shqiptarë që luajnë për Zvicrën, Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin.“Faleminderit prindërve të tyre që i keni edukuar kaq mirë fëmijët tuaj. Që i keni rritur me atdhedashuri. Graniti vjen në Tiranë. Xherdani ishte me pushime në Dhërmi. Faleminderit duhet t’ju themi çdo ditë”, theksoi ai.