Të shtunën në orën 13.45, Dinamo do përballet në transfertë me Kastriotin, në takimin që vlen për javën e 19-të të Superiores. Në prag të kësaj ndeshje ka folur trajneri i dinamovitëve, Bledi Shkëmbi. Shkëmbi shprehet se kundërshtari ka një ekip agresiv dhe që mund të të bëj dëm në çdo moment. Gjithashtu, permenden edhe sfidat direkte të fituara. Sa i përket mbijetesës, për Shkëmbin ky objektiv është arritur tashmë. Diçka u tha edhe për prurjet e reja.

“Takimi- Është një kundërshtar specifik që në çdo ndeshje jep maksimumin. Një kundërshtar agresiv në kuptimin e mirë të fjalës dhe në ndeshjet e fundit po luan mirë futboll.

Ne kemi fituar dy ndeshje dhe duhet të bëjmë maksimumin të fitojmë edhe të tretën pasi na duhen pikët, po ashtu si kundërshtarit. Ndoshta ne diçka më shumë. Shpresoj të kemi edhe fatin me vete.

Objektivi mbijetesë- Nuk mendoj që do të kemi rrezik për mbijetesën. Ne duam të grumbullojmë sa më shumë pikë, të jemi të qetë. Ka edhe dy faza të tjera, dhe kemi besim se do të ngjitemi më lart në klasifikim.

Megjithatë, kjo bëhet duke fituar ndeshjet dhe duke grumbulluar pikët. Vërtet nuk fituam ndaj Egnatias, por ashtu si shkoj loja, ata që kanë luajtur futboll e dinë shumë mirë që ndonjëherë kur luan kundër 10 lojtarëve bëhet më e vështirë. Gabuam, pati raste kur kundërshtari rrezikoi, por ne patëm raste për ta fituar ndeshjen, por nuk ia dolëm.

Prurjet e reja- Të tre këta lojtarë po vijnë nga dita në ditë duke u rritur. Akoma nuk janë në 100%, por në fushë po na ndihmojnë shumë me mundësitë që kanë. Sidomos Denison dhe Lilaj po bëjnë shumë mirë. Reginaldo po bënë një program të veçuar stërvitor, dhe nga ndeshja tjetër do të bëjë edhe më shumë.

Ky nuk është i vetmi problem pasi përveç këtyre kemi edhe probleme shëndetësore. Imami dje është kthyer nga Covid, Sofranac mungon sepse vazhdon të jetë me temperature. Maliqi është në pikëpyetje. Megjithatë, ne nuk mund të justifikohemi pasi kemi lojtarë të aftë për të zëvendësuar mungesat dhe për të fituar ndeshjen.

Fjalët e Demollarit- Janë fjalët e një emri të madh të futbollit shqiptar. Unë personalisht kam pasur edhe një takim rastësor me të ku ka qenë edhe presidenti. Kemi folur edhe nga afër.

Çdo fjalë që thotë duhet të na kthehet për të bërë më të mirën. Kushdo që flet, sidomos Demollari ka respektin tonë dhe ne duhet të merremi me atë çfarë duhet të bëjmë sepse në futboll flitet për atë që ndodh në fushë”- tha ai.Dinamo renditet e shtata.