Dinamo u mposht ditën e sotme nga Korabi, në ndeshjen e fundit të fazës së dytë, teksa me këtë humbje kryeqytetasit zbresin në vendin e tretë të renditjes, në grupin A.

Ndeshjen e vendosur një penallti e shënuar nga Skuka në minutën e 26’, e cila u shkaktua nga kapiteni i bluve, Miklovan Pere. Pikërisht për këtë penallti të akorduar, te Dinamo kishte kontestime të shumta.

Pas ndeshjes, akuza të forta ka pasur edh nga sulmuesi i dinamovitëve, Damiano Pontreli. Italiani nëpërmjet një postimi në profilin e tij, shkruan se në futbollin shqiptar bëhen lojëra politike dhe është një korrupsion i pastër.

“Rroftë sporti, rroftë gara e pastër sportive, kush e meriton fiton dhe kush humbet ushqehet me vetëdijen se duhet të japë gjithnjë e më shumë. Megjithatë, kjo që shoh është një botë që nuk më pëlqen. Lojëra politike dhe korrupsion i pastër. Turp për të gjithë njerëzit që i përmbahen kësaj mënyre të të bërit sport”, shkruan Pontreli.