Kombëtarja shqiptare e futbollit ka udhëtuar me dy futbollistë të tjerë më pak drejt San Marinos për ndeshjen e tretë të kualifikueseve të Botërorit 2022. Kuqezinjtë kanë bërë sot pasdite stërvitje dhe janë nisur drejt vendit fqinj, por me më pak alternativa në dispozicion për trajnerin Reja.

Përveç Kumbullës së dëmtuar, me ekipin nuk do të jetë as Klaus Gjasula, i cili është kthyer në Gjermani meqë nuk mund të aktivizohej në këtë sfidë sepse ka arritur numrin e dy kartonëve të verdhë dhe është i pezulluar.

Por përveç tij, është bërë e ditur nga zyra për shtyp se nga grumbullimi është larguar për probleme fizike Florian Kamberi.

Sulmuesi është lënë në stol në të dy ndeshjet e javës që sapo u mbyll, por sipas FSHF, ka pësuar një dëmtim që nuk do të rikuperojë në kohë, ndaj është parë e arsyeshme që ai të kthehet përsëri në klubin e tij.

Ndërkaq, mbetet ende në dyshim prania e Odise Roshit, i cili po mundohet që të rikuperohet për duelin në fjalë, që të japë kontributin e tij në fushën e lojës. Roshi luajti pak minuta ndaj Andorrës por në ndeshjen ndaj Anglisë ishte në tribunë për shkak të problemeve muskulore që kishte. /vipsport/